PS: Halim Kosova ka filluar të kuptojë se Basha ka dështuar me rrugët
Univesiteti Epoka shpall fituesit e Provimit të Pranimit PS përmes deputetes Olta Xhaçka deklaroi se Lulzim Basha ka dështuar si kryebashkiak i Tiranës. Me nota ironie, ajo tha se edhe Halim Kosova, e ka kuptuar se Basha ka dështuar me rrugët. "Është për t’u përshëndetur fakti që edhe kandidati i vetëm që pranoi të kandidojë në vend të Lulit në Tiranë, ka filluar ta kuptojë se problemi më i madh i Tiranës në këto katër vjet ka qenë vetë Luli.
Me të drejtë, kandidati i Lulit ngriti sot shqetësimin për gjendjen e mjerueshme të rrugëve të kryeqytetit. Jemi plotësisht dakord me të: ashtu si në çdo gjë tjetër, Lulzim Basha ka dështuar edhe me rrugët.
Madje ka dështuar keq, duke i kthyer rrugët e kryeqytetit në një gjendje që qytetarët nuk e kishin parë që prej fundit të viteve 90. Me të drejtë kandidati i Lulit për Tiranën ngriti shqetësimin për mungesën e tregjeve moderne dhe për gjendjen e mjerueshme të tregjeve ekzistuese.
Por në vend që të ankohet përpara qytetarëve që e vuajnë këtë situatë çdo ditë, do të bënte mirë t’ia drejtonte këto shqetësime shefit të tij, atij që e kandidoi në Tiranë. Dhe teksa e pyet për tregjet e rrugët, le t’i bëjë Lulit edhe një pyetje për gënjeshtrën mbi uljen e taksave të cilën e trumbetoi aq shumë, por as nuk u përpoq ndonjëherë ta bëjë realitet.
Ka në skizofreni qesharake sot në PD. Në njërën anë kemi zëdhënëset e Lulit që flasin për vizione moderne të Kryetarit me tram, bulevard të ri e karta studentore. Në anën tjetër, kemi kandidatin e vetëm që pranoi të kandidojë në vend të Lulit për Tiranën, i cili nga dita në ditë po mëson se nuk ka mundësi të bëjë asnjë premtim, të paraqesë asnjë platformë pa denoncuar dështimet e kryetarit të partisë së tij.
Lulzim Basha ka dështuar. Lulzim Basha u tërhoq nga gara si frikacak, sepse i kishte të qarta përmasat e dështimit të tij. I vetmi zhvillim pozitiv është se sot, kandidatit të tij i janë hapur sytë dhe po e sheh edhe ai dështimin e Lulit.
Në 21 qershor kjo estradë e Partisë Demokratike merr fund, bashkë me makthin e kryeqytetit të quajtur Lulzim Basha. Qytetarët do të votojnë për të ardhmen e qytetit të tyre, sepse Tiranës i duhet një kryetar bashkie që ta çojë në drejtimin e duhur", deklaroi ajo.