PS i përgjigjet letrës së Metës: Jemi dakord për reformën zgjedhore
Pa mbushur 24 orë nga letra që kryeparlamentari Ilir Meta u drejtoi kryetarëve të grupeve parlamentare për nevojën e ngritjes së një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për reformën zgjedhore, ka ardhur gatishmëria dhe vullneti politik i Partisë Socialiste për nisjen e kësaj reforme.
Kështu, "Top Channel" ka siguruar letrën që kryetari Grupit Parlamentar të socialist, Gramoz Ruçi, i ka nisur kreut të Kuvendit, letër kjo e shoqëruar me një projekt-vendim për ngritjen e Komisionit të Reformës.
Që në fillim të letrës, Ruçi nënvizon se PS-ja është menjëherë e gatshme për fillimin e një procesi gjithpërfshirës për implementimin e e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Por socialistet thonë gjithashtu se janë të hapur edhe për konsultime paraprake midis partive parlamentare, duke iu referuar projekt-vendimit bashkangjitur letrës së dërguar Metës.
Projekt-vendimi ka 12 pika, ku në pikën e 3 sanksionohet detyra parësore e këtij Komisioni për hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 2013-s dhe ato vendore të 2015-s.
"Komisioni, -thuhet në projekt-vendim,- duhet të drejtohet nga dy bashkëkryetare, një nga PS dhe një nga PD, ndërkohë komisionit do t’i atashohen edhe ekspertë teknikë.
Anëtarësia e Komisionit propozohet të jetë e përbërë nga 5 anëtarë të shumicës dhe 5 të pakicës".
Gramoz Ruçi propozon gjithashtu që “Prezenca e OSBE në Shqipëri, ODIHR dhe Komisioni Venecias të ftohen të ndjekin dhe të japin asistencën e tyre në punën e këtij komisioni”.
Në pikën 8 të projekt-vendimit, thuhet se “Çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Shumica parlamentare mirëpret propozimet e pakicës parlamentare të bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe palët angazhohen të gjejnë konsensin në lidhje me to.
Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, konsensusi do të kërkohet në asistencën e dhe ekspertizën e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
KOHA JONË SONDAZH

