Erion Braçe: Unë ndjehem keq kur mazhoranca voton ligj në favor të një biznesmeni

Propozimet për paketën fiskale të ish-zv/kryeministrit Erion Braçe nuk gjetën mbështetje nga deputetët socialistë sot në Kuvend. Braçe thotë se nuk votoi për paketën fiskale, por vetëm për buxhetin 2022 e dha votën. Në një postim në rrjete sociale, Braçe thotë se ndihet keq kur parlamenti voton për një biznesmen, natyrisht në favor të biznesit të tij privat e nuk shikon interesin publik.

Postimi i plotë i deputetit të PS, Erion Braçe

8 vota pro për bujqit. Po hap i madh përpara ama; Në nëntor 2018-të, kur propozova tatim zero për rrogat deri në 40 mijë lekë, mora vetëm 5 vota pro. Këtë nëntor, qeveria erdhi tek propozimi im, 3 vite me vonesë dhe me 46. 800 lekë barrë fiskale mbi çdo shqiptar me rrogë 40 mijë lekë; llogaria është edhe me tre zero të tjera për rrogat nga 30 mijë deri në 40 mijë lekë.

Në nëntor 2018-të, kur kundërshtova skemën 6 me 20 për TVSH e fermerit, mora vetëm 5 vota pro. Këtë nëntor, paratë e munguara tek gjithë zinxhiri nga bujku prodhues tek grumbulluesi, përpunuesi, në tregun e brendshëm, arritën në 4.5 miliard lekë. Pasoja në blegtori, numër lopësh për qumësht, delesh e dhish për qumësht, është katastrofike.

A mban përgjegjësi kush?

E para, e drejta, e vërteta nuk matet me vota, nuk relativizohet, nuk zhvleresohet nga votat politike, fare. Udhëheqësve ju duhet kohë të vijnë tek ajo që është e vërtetë dhe e drejtë.

E dyta, unë nuk ndjehem keq për 8 votat; unë ndjehem keq kur propozime të majta nuk votohen; unë ndjehem keq kur propozime në favor të shumicës nuk votohen. Mbi të gjitha, unë ndjehem keq kur një ligj klientelist, tërësisht personal e vetëm për një kompani, si dëm për njerën e si favor për tjetrën, votohet me shumicë, siç sot.

Ky është problem i madh! Personalizimi i politikës fiskale është gjëja më e rëndë që i ndodh tregut, ekonomisë. Faleminderit të gjithëve!

SHKARKO APP