PS insiston sërish: Qytetarë votoni, duhen dhe 3 orë
Partia Socialiste, nëpërmjet deputetes Olta Xhaçka, u bëri sot thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në votime.
“Edhe tre orë për të investuar votën tuaj për drejtimin ku do të ecë bashkia juaj.
Nëse s’keni votuar ende, duhet ta bëni! Edhe tre ore për të investuar votën tuaj për çerdhen, kopshtin, shkollën e fëmijëve tuaj”, tha Xhaçka.
“Nëse s’keni votuar ende duhet te shkoni ne votim edhe për fëmijët tuaj. Edhe tre orë për të investuar votën tuaj për pastërtinë në vendbanimin tuaj. Nëse s’keni votuar ende duhet te shkoni në votim që në bashkinë tuaj të re plehrat të grumbullohen dhe përpunohen si në një vend normal në Europë”, tha deputetja socialiste.
“Edhe tre orë për të investuar votën tuaj për transportin publik në bashkinë tuaj të madhe ku tanimë ju nevojitet një shërbim urban modern kudo ku jetoni. Nëse s’keni votuar ende duhet të drejtoheni tek qendra e votimit tuaj dhe të kontribuoni për të pasur shërbimin urban që meritoni”, tha Xhaçka.
“Edhe tre orë për të investuar për parqet dhe mjediset sportive që të moshuarit dhe të rinjtë të kenë hapësirat që u mungojnë sot. Nëse s’keni votuar ende, mos qëndroni me tutje në shtëpi po merrni rrugën drejt kutisë së votimit ku çdo qytetar duhet të mos mungojë për të diktuar drejtimin e të ardhmes se bashkisë së vet të re”, u shpreh Xhaçka, duke I ftuar qytetarët të votojnë edhe për pjesëtarët e familjes në emigracion që kur të vijnë të gjejnë një komunitet më të mirëshërbyer dhe një vendlindje më të mirëtrajtuar.
Së fundi, Xhaçka ripërsëriti thirrjen për gratë e vajzat: “Nëna e motra kjo është dita juaj e madhe. Kjo është dita që me votën tuaj t’i vini vulën vendimit historik të barazisë së pjesëmarrjes mes grave e burrave në kuvendet e reja vendore. Votoni, votoni, votoni, bëjeni edhe për gjithë ato gra e vajza që luftuan për këtë dite dhe nuk e arritën dot. Bëjeni për Shqipërinë shembull i mbështetjes së grave në këtë 21 qershor. Votoni për kë ju do zemra e ju thotë mendja, por mos rrini pa votuar. Edhe tre orë! Janë vetëm katër minuta për të vendosur katër vitet e ardhshme të vendit ku jetoni”, tha deputetja Xhaçka.