PS mbledh kryesinë, vendoset edhe për shpërblimin e pensionistëve
Mblidhet sot në orën 09:00 kryesia e Partisë Socialiste, në takimin e saj të fundit për këtë vit. Në fokus të bisedimeve do të jetë fatura e tërmetit të datës 26 nëntor, përzgjedhja e 61 kandidatëve për degët e kësaj force politike në rrethe para zgjedhjeve që mbahen në shkurt dhe situata politike në vend. Takimi është thirrur nga kreu i PS, Edi Rama, pasi të hënë mblodhi edhe qeverinë në një takimin informal, ku u diskutua mbarëvajtja e punës gjatë 6 muajve të dytë të vitit që po lëmë pas.
Të hënën, pas mbledhjes së qeverisë në Golem, e cila zgjati rreth 8 orë, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët edhe për shpërblimin e pensionistëve për fundvit. Për këtë çështje, Rama u shpreh se pensionistët nuk janë një kategori që mund të neglizhohen dhe për ata do të diskutohet në mbledhjen e ditës së martë të qeverisë.
“Sot kemi mbledhje të qeverisë dhe do të flasim dhe për këtë. Çfarë na ka ndodhur na ka bërë më të kujdesshëm, jo të frenuar. Ideja ka qenë të mos cenojmë prioritete dhe pensionistët nuk janë kurrë një kategori që mund ta neglizhojmë por jemi të kujdesshëm sepse duam të jemi të sigurt 100% që do ta përballojmë qoftë edhe vetë rindërtimin dhe për këtë duhet të presim konferencën, që të kemi një qartësi sa do të jetë barra e Përgjithshme”.