PS mbledh sot Asamblenë Kombëtare, priten ndryshime në statut

 

Edi Rama ndryshon sot statutin e PS. PS mbledh sot Asamblenë Kombëtare, për t’i hapur udhë ngritjes së një grupi të posaçëm pune për ndryshimet në statut. Kjo është mbledhja e parë e Asamblesë Kombëtare pas zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015.

Mësohet se partia do të riorganizohet në bazë të ndarjes së re territoriale, ndërsa ende nuk është përcaktuar nëse do ketë ndryshime në statut, për mandatin e kryetarit të partisë.

Veçse një bilanc paraprak të arritjeve dhe dobësive që shoqëruan partinë në zgjedhje, mbledhja e Asamblesë do të bëjë dhe shpalljen e nismës për ndryshimet në statutin e partisë, për t’i paraprirë kështu kongresit të dhjetorit të këtij viti.

Mësohet se Asambleja do të ngreje një gup pune të posaçëm për hartimin e amendamenteve për ndryshime ne statut që mësohet se do te fokusohet në ndarjen e re administrative-territoriale.

Një nga ndryshimet lidhet me heqjen e organizimit në bazë rrethi, sikundër ky nocion është hequr nga ndarja e re e territorit.

Tashmë, pritet që partia të organizohet në rang bashkish, që do të thotë së paku 61 kryetarë të PS në bashkitë e reja. Me organizimin e ri, pritet që edhe deputetët të riorganizohen në zonat që do të kenë në varësi, për përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme politike.

Asambleja, do t’i hapë udhë edhe zgjedhjes së sekretarëve të rinj, pasi veçse mbarimit të mandatit, një pjesë e tyre nuk kanë ushtruar detyrën, për shkak të zgjedhjes në poste ministrore.

Pika më e nxehtë e vendimmarrjes së Asmablesë Kombëtare, pritet të jetë ndryshimi i statutit për mandatin e kryetarit.

Burime pranë PS konfiromojnë se shefi i selise socialiste Edi Rama ka folur për një zgjedhje terësore nga kryetari i partise deri ne nivelin drejtues më të ulët në bazë, përtej zërave se për kryetarin nuk do te kishte zgjedhje në rast të fitores së zgjedhjeve.

SHKARKO APP