PS mbledh sot Asamblenë Kombëtare, zbardhet agjenda
Ditën e sotme, Partia Socialiste do të mbajë një mbledhje të Asamblesë Kombëtare, në fokus të së cilës do të jenë zgjedhjet e përgjithshme në parti.
Mësohet se mbledhja do të nisë me fjalën e kryeministrit Edi Rama, për të vijuar më pas me raportimet e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve në parti.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, do të miratohen edhe projektvendimet, përzgjedhja e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së, si edhe për anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore e Etikës së PS-së.
Agjenda e Asamblesë Kombëtare të PS
“Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftoj se më datën 11.06.2024, ora 17:00, zhvillohet online mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste me këtë rend dite:
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme në parti, Blendi Klosi.
Miratimi i Projekt Vendimit “Për thirrjen e Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste”
Miratimi i Projekt Vendimit “Për propozimin dhe përgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS”.
Miratimi i Projekt Vendimit “Për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore e Etikës të PS”.
Miratimi i Projekt Vendimit “Për zgjedhjen e anëtarëve të Përfaqësisë, të Komisionit të Verifikimit të Mandateve dhe të Komisioneve të Votimit e të Numërimit të Votave të Kongresit të PS.
Të ndryshme”, thuhet në agjendë.