PS në një betejë për Shkodrën, Gjiknuri: Shanset për fitore janë të mëdha
Partia Socialiste beson se janë rritur shanset për të kthyer timonin e drejtimit politik të bashkisë Shkodër. ”Shance që vështirë se kanë qenë ndonjëherë, aq më tepër për bashkimin e shumë faktorëve rreth PS në Shkodër, si edhe fakti i një përçarje të mundshme që mund të ketë opozita në garën e bashkisë Shkodër”, nënvizon Damian Gjiknuri, sekretar i Përgjitshëm i PS-së.
Durrësi, Elbasani dhe Tirana janë tre bashki ku opozita kërkon fitoren. Socialistët, thonë se do t’u mbeten atyre dhe se deri më tani është vendosur që në garë do të hyjnë me të njëjtë kryebashkiakë në detyrë.
“Bashkitë që ndryshojnë duart, sidomos me këtë lloj opozite, përgjithësisht bunkerizohen, kthehen në ishuj të rezistencës politike në ato që ëuhen përmbysje e madhe, revolucion, e etj dhe nuk e kane ndërmend zhvillimin e bashkive. Nuk është problemi i famës së një individi apo zotësisë për të folur në publik. Problemi është se çfarë përfaqëson, çfarë ke bërë, çfarë do të bësh dhe e bën dot vetëm. Nuk e bën dot vetëm. Asnjë bashki në Shqipëri nuk është në gjendje të ndryshojë gjithë zhvillimin e saj urban dhe ekonomik vetëm më burimet e bashkisë. Do një ndërthurje të mirë të projekteve të qeverisë, mbështetje së qeverisë dhe nismes së kryetarit”, thekson Gjiknuri.
Për të shmangur pakënaqësitë dhe rrjedhjen e votave, 61 kandidatët për kryebashkiakë do të mbeten të pazyrtarizuar deri në javën e fundit të marsit, kur emrat e tyre të dorëzohen në KQZ.