PS nis proceduat për shkarkimin e Metës, Dashamir Shehi: Opozita t’i dalë për zot Presidentit

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi pjesë e koalicionit ”PD-AN”, shprehet se opozita duhet t’i dalë për zot Presidentit në betejën me qeverinë. Ai shprehet se votat duhen lexuar qartë dhe opozita duhet të merret me problemet e rënda që pati procesi i zgjedhjeve.

”Socialistët për sa kohë i bën letrat presidenti, ne i dalim për zot Presidentit dhe institucionit të Presidentit. Gjysma e tyre nuk ka lexuar një libër se ç’është socializmi në Europë. I ftoj të gjithë të na presin me durim të mbarojë ky hetim se ka rëndësi jo thjesht sa vota ka marrë opozita, por a ka demokraci dhe a bëhen votime, apo jo. Kemi kohë, kemi një verë përpara të mendojmë qetësisht për më të mirën e opozitës. Pushteti nuk është thjesht ndryshim fytyrash, por duhet një lëvizje e qenësishme”,-tha Shehi për A2.

Ditën e sotme, grupi parlamentar i Partisë Socialiste është vënë në lëvizje për të nisur procedurat ligjore për shkarkimin e kreut të shtetit me anë të një komisioni hetimor. Pavarësisht se çfarë vendos ky komision, vendimi Parlamentit do të shqyrtohet nëse është apo jo i ligjshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Ditën e sotme, i pyetur për kërkesën e Edi Ramës për shkarkim të kreut të shtetit, Meta tha se mediat dhe qytetarët duhet të merren me problemet e zgjedhjeve dhe jo me shashka. “Mos u merrni me shashka, as me shkarkime dhe debate për dorëheqje. Kemi një proces zgjedhor që duhet ndjekur deri në fund. Ilir Meta nuk ka qenë në zgjedhje, as kandidat dhe as subjekt politik. Në të ardhmen ndoshta do të keni mundësi të shihni sa vota merr Ilir Meta”,- tha kreu i shtetit.

SHKARKO APP