PS nismë ligjore: Berisha të mbyllet në çmendinë
Deputeti i Partisë Socialiste dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla ka deklaruar sot se do të ndërmarrë një nismë ligjore për ekzaminim mjekësor të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në një deklaratë për mediat, Balla tha se Berisha duhet të verifikohet nëse është i rregullt mendërisht, ose “duhet të mbyllet në çmendi”. Deputeti Balla tha se kjo është e vetmja mënyrë për të verifikuar akuzat e Berishës, të cilat sipas tij, nuk kanë asnjë bazë.
Balla tha se Berisha fshihet pas gjithë inskenimeve lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi. Ai shtoi se Berish ka në mendje një skenar kriminal për të përdour akuzat e Doshit për trazira në vend.
Deklarata e plotë e deputetit Taulant Balla
"Thirrjet e Sali Berishës dhe të oficerëve të Shqup-it nxisin dhunën ndaj institucioneve, duke përdorur si shkak një manipulim skandaloz për gjoja vrasjen e dy deputetëve dhe madje, duke përfshirë në këtë teatër edhe një të sëmurë mendor. Fakti është se kjo nuk është vetëm një orvatje kriminale për të destabilizuar jetën e vendit përmes një manipulimi serial, po edhe një përpjekje e dëshpëruar për të delegjitimuar hetimin që po kryen prokuroria e krimeve të rënda.
Pse nuk e pret Sali Berisha fundin e hetimit të prokurorisë? Pse nuk duron dot Sali Berisha derisa faktet, provat, dëshmitë e marra nga prokuroria të kthehen në konkluzione ligjore? Pse Sali Berisha ka ri-hipur mbi kalin e vjetër të luftës kundër ligjit dhe shtetit, ndërkohë që ka një hetim intensiv që po kryhet nga prokurorët e krimeve të rënda?
Sali Berisha e di më mirë se kushdo tjetër të vërtetën dhe më shumë se kujtdo tjetër, e vërteta e këtij teatri të turpshëm i djeg vetëm atij, doktorit të sëmurë që prej 25 vjetësh ose e sundon ose e djeg Shqipërinë! Unë i bëj thirrje prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet për Sali Berishën dhe të gjithë nxitësit e tjerë politikë të dhunës, Sepse: Sali Berisha përsëri nuk po kërkon zbatimin e ligjit, por imponimin me forcë të një skenari kriminal që dëmton seriozisht Shqipërinë.
Ndërkohë, unë do të ndërmarr prej sot nismën për të verifikuar në rrugë mjekësore gjendjen psiqike të Saliut dhe për të kërkuar mbylljen e tij në çmendinë në rast se komisioni mjeko – ligjor vërteton dyshimin e thellë të shumicës dërrmuese të shqiptarëve sepse Sali Berisha është klinikisht i papërgjegjshëm për ato që thotë dhe për ato që bën. Po ndërkohë, për sa kohë ky njeri nuk është shpallur zyrtarisht i papërgjegjshëm klinikisht, duhet t’i nënshtrohet ligjit si gjithë të tjerët dhe duhet të përgjigjet për krimet e tij. Duke filluar nga krimi më i fundit, nxitja e dhunës dhe përpjekja e hapur për përhapjen e panikut dhe destabilizimin e vendit, përmes një skenari sa qesharak aq edhe të turpshëm e të rrezikshëm për vendin tonë".