PS nuk arrin votat për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses, disa socialistë vijojnë të jenë skeptikë

Edhe njëherë tjetër, Partia Socialiste nuk ka gjetur numrin e votave për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe votimi u shty ësrish edhe këtë të mërkurë. Votimi për pr/ligji “për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” që parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve të këtij institucioni, është shtyrë për të disatën herë. Socialistët nuk bënë dot votat që kërkoheshin për këtë projektligj.

Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, tha gjatë fjalës në Kuvend se Gjykata Kushtetuese duhet të dëshmojë integritet dhe pavarësi. Sipas tij nuk ka logjikë të përafrohet ngarkesa e gjyqtarëve të kushtetueses me ngarkesën e kësaj pune me Gjykatën e Lartë apo dhe vetë SPAK-un.

Edhe pse është kundër këtij projektligji, deputeti Erion Braçe refuzon gjuhën e opozitës të cilën ai e quan si shantazh. “Këtë lloj gjuhe, që ne nuk ju rrisim rrogat, se keni një vendim për të marrë, është shantazh i drejtpërdrejtë, nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. Sa për dijeninë tuaj edhe unë jam kundër këtij projektligji, por refuzoj kategorikisht që të përdor gjuhën që ju përdorni”,-tha Braçe.

Ministri i Drejtësisë, renditi 3 pikat kryesore se përse propozohet rritja e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij kjo është çështje e zbatimit të ligjit dhe jo çështje dëshire.

SHKARKO APP