PS nuk heq dorë nga “Plehrat”, Bare: Sqarimi për ligjin vlen vetëm për të pamanipuluarit
Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare, që është njëri nga nismëtarët e ligjit për importin e mbetjeve thotë se ndjeshmëria e qytetarëve për mbetjet është e natyrshme, duke sqaruar se mesazhet e tij ai jep për ata persona që sipas tij, që nuk janë manipuluar nga akuzat që vijnë nga ambientalistët dhe shoqëria civile, edhe pse nuk jep asnjë argument të ri nga ato që thotë dhe kryeministri Edi Rama.
Gjatë një interviste në “Ora News”, Bare thotë se ligji ka ndryshime thelbësore nga ai i mëparshëm i miratuar nga Partia Demokratike në vitin 2011, duke theksuar se me ligjin e ri janë hequr disa nene, të cilat lejonin importin e mbetjeve për djegie. Bare thotë se çështja është instrumentalizuar nga ata që sipas tij, nuk kanë lexuar ligjin dhe që tentojnë të manipulojnë edhe të tjerët.
Bare: Fjala ime është për atë kategori njerëzish që nuk janë të manipuluar dhe që duan të dëgjojnë, që ende nuk kanë kuptuar se ku ndryshon qëndrimi ynë i sotëm me atë të mëparshëm. Sigurisht që ka njerëz që nuk duan të dëgjojnë. Ligji ka ndryshuar në mënyrë thelbësore. Ata thotë se pse ju në 2011-n nuk e votuat ligjin dhe sot e votoni? Biles këtë e thonë edhe kolegë brenda nesh. Thonë që ligji është i njëjtë.
Në fakt nuk është i njëjtë. Media duhet t’i referohet prononcimeve tona që kemi bërë në 2011-n. Konkretisht në fjalën time i jam referuar nenit 22, nenit 49 dhe 48. Ne kërkonim që të ndryshonim këto nene, të cilat kërkonin të legalizonin, pra qeveria kufizon importin për qëllime djegieje.
Për këtë arsye, ne e zhdukëm dhe e hoqëm dhe nuk thonë se është hequr një nen që lejonte importimin e mbetjeve në Shqipëri për qëllime djegieje. Neni 22 është fshirë. Kemi kaluar tek neni 48, ku thuhet: Në Republikën e Shqipërisë nuk lejohet importimi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllime asgjësimi, depozitimi, apo djegieje.
Por kush e bën certifikimin e këtyre mbetjeve që janë të rrezikshme apo pak të rrezikshme?
Deputeti socialist thotë se ka një kontroll të dyfishtë.
Bare: Gjurmueshmëria e lëndëve importit të mbetjeve është si për lëndët radioaktive. Vendi i origjinës kontrollon në mënyrë strikte me të gjitha teknikat e nevojshme analitike. Unë kam besim tek Gjermania si vend i origjinës nuk importon mbetje të rrezikshme. Hani ushqime, të gjitha të vendit janë? E njëjta gjë mund të thuhet se hani bukë të kontaminuar me mykotoksina.
Cila është garancia që jep Shqipëria në këtë rast?
Bare: Gjënë e parë, legjislativi hoqi mundësinë ligjore për importimin e mbetjeve me qëllim djegieje. Gjatë këtyre tre viteve, qeverisë i është dashur të fokusohet në të gjithë këtë problematikë që garanton sigurinë e këtyre importimeve. Ky ligj është më diskriminues në Evropë dhe në rajon. Është kufizues dhe diskriminues sepse kufizohen vetëm në 5-6 rryma mbetjesh. Në Maqedoni lejohet edhe importi i mbetjeve të rrezikshme. Njerëzit që dalin dhe na kundërshtojnë nuk kanë lexuar ligjin dhe kanë mbyllur veshët. Kjo është pjesa e instrumentalizuar që përpiqet që të manipulojë edhe ata të tjerët. /Ora News/
KOHA JONË SONDAZH

