PS s’përjashtoi Ornaldo Rakipin, Alibeaj: Rama është avokat i personave ”non-grata”

Vendimin për të mos përjashtuar nga grupi parlamentar i PS-së, Ornaldo Rakipin, për kreun e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj është një tregues i qartë sesi Edi Rama është një mburojë e ”non-gratave”. ”Me avokatinë e sotme ndaj Ornaldo Rakipit, kryeministri dëshmoi qartë se ai është ideatori i masakrës elektorale të 25 prillit. Zbatuesit e kësaj masakre janë grupi i non gratave që sot janë ende aktivë në strukturat e PS”. Babai i tij, ish-deputeti Aqif Rakipi u shpall ”non-grata” nga SHBA-ja.

Postimi i plotë

Asnjë habi nga ishulli i non grata-ve. E sotmja ishte prova e radhës se Edi Rama e ka të pamundur të ndahet nga non gratat sepse vetëm falë tyre ai arrin të mbajë karrigen e kryeministrit. Vendimi i sotëm i grupit parlamentar të PS është qartas dëshmi e pushtetit dhe pengmarrjes që klubi i nongratave ka në politikën shqiptare.

PD e ka denoncuar kohë më parë përfshirjen e Aqif Rakipit në procesin e blerjes së votave. Ky fakt i konfirmuar dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk arrit ta bindë Edi Ramën dhe deputetët e tij se votat e blera për llogari të të birit duhet të jenë një alarm për ecurinë normale të parlamentarizmit.

Me avokatinë e sotme ndaj Ornaldo Rakipit, kryeministri dëshmoi qartë se ai është ideatori i masakrës elektorale të 25 prillit. Zbatuesit e kësaj masakre janë grupi i non gratave që sot janë ende aktivë në strukturat e PS.

Jo rastësisht dhe në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, PD denoncoi përfshirjen e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos në fushatën për zgjedhjen e kryebashkiakëve. Askush nuk habitet pra nga ishulli i non grata-ve ku çdo gjë është e vjedhur.

SHKARKO APP