PS takim me emigrantët në Athinë, Gjiknuri: Të vendosur për votën e diasporës. Forca të errëta të së kaluarës nuk e duan
I gjendur në Athinë ku dega e Partisë Socialiste në Greqi zhvilloi Asamblenë e zgjeruar dhe dëgjesën me kandidatët për kryetarin e ri të kësaj dege, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, u bëri thirrje emigrantëve të regjistrohen për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në vendin tonë. Gjiknuri theksoi vullnetin e PS-së për implementimin e ligjit për të drejtën e votimit për emigrantët. Sipas tij, PS-ja dëshiron që emigrantët të votojnë dhe të bëhen pjesë e procesit.
“Ne si Parti Socialiste po i kushtojmë një vëmendje shumë të madhe votës së diasporës. Të gjitha çështjet sesi do ta materializojmë votën e emigrantëve do të bëhen realitet falë edhe detajeve të fundit që do të zhvillohen në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Jo më kot qeveria zgjodhi një zv.ministër për të mbuluar çështjet e diasporës. Me futjen e votës dhe implementimin e saj, ju bëheni faktorë shumë të rëndësishëm. Por duhet ta ushtroni, duhet të regjistroni adresat tuaja. Ne kemi mundësi që në këto zgjedhje në të gjitha bashkitë, emigrantët të vijnë dhe të kontribuojnë me votën e tyre. Me futjen e votës në Kodin Zgjedhor me mekanizmat përkatës, vota e diasporës sonë në Greqi do jetë fondamentale”, deklaroi Gjiknuri.
Po ashtu Gjiknuri nënvizoi se janë forca të errëta të së kaluarës që janë rikthyer sërish, të cilat nuk dëshirojnë që emigracioni të bëhet pjesë e procesit.
“Janë disa forca që duan ta kthejnë mbrapsht. Unë ju them me bindje, ka një shumicë të heshtur që e kupton, e vlerëson punën e qeverisë. Është shumicë e heshtur që është e kënaqur me gjërat sesi po shkojnë në Shqipëri. Patjetër që mund të ketë gjëra për t’u riparë dhe s’duhet të kalojmë në vetëkënaqësi. Partia Socialiste mund të jetë hapësira më e madhe e debatit edhe për ta ndryshuar qeverisjen, edhe për të ndryshuar gjërat që nuk shkojnë mirë. Unë them se sa më shumë njerëz të angazhojmë, sa më shumë të hapur ta bëjmë debatin mes nesh, aq më e fortë do bëhet Partia Socialiste. Një parti që shikon mbrapa, vetëkorrigjohet në kohë i ka të gjitha mundësitë të qëndrojë gjatë në pushtet. Unë them socialistët e kanë merituar. Kanë një kryeministër të mençur që ka ditur ta navigojë Shqipërinë si duhet në dallgën e politikës ndërkombëtare dhe halleve që e zunë këtë vend”, tha Gjiknuri.
Ai theksoi se PS dhe kryeministri Edi Rama kanë treguar se dinë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata janë. “Edi Rama shquhet për njeriun që di t’i mbrojë me forcë të drejtat e shqiptarëve. E ka ngritur gjërin kudo edhe me kryeministrat e Greqisë për shumë gjëra që ju e keni ndjerë dhe që janë realizuar një pjesë e tyre. Ka çështje që meritojnë shumë vëmendje, siç është çështja e pensioneve dhe të tjerave që u ngritën këtu, por që janë çështje financiare që varen nga shteti grek”.
Gjiknuri u shpreh edhe se komuniteti shqiptar që punon dhe jeton në Greqi, i ka të gjithë kapacitetet e nevojshme që zërin e tij ta çojë tashmë edhe në parlamentin grek.