PS: Të largohet Flamur Noka, Llalla të nisë hetimet
Deklaratë për media e deputetit të PS, Alfred Peza
Partia Socialiste kërkon largimin e deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka, për deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit.
I kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës Adriatik Llalla, nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë rast.
Nga ana tjetër, i kërkojmë Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha që të thyejë heshtjen dhe të shprehet publikisht dhe zyrtarisht për rastin e deputetit Flamur Noka.
Zoti Basha, në kulturën tuaj politike, gjëja më e thjeshtë ka qenë hedhja e baltës dhe tregimi me gisht i kundërshtarëve të tu politikë, duke i akuzuar për kriminelë.
Por, nëse e keni vërtetë seriozisht ashtu siç përbetoheni, kauzën e dekriminalizimit, duhet ta tregoni SOT shembullin e zbatimit të ligjit për deputetët tuaj. Sepse ka një rast konkret dhe një provë konkrete.
Shqiptarët duhet të shohin nga njëra anë baltën dhe shpifjet e Lulzim Bashës për deputetët e mazhorancës,- ku asnjëri nuk ka dalë i dënuar,- e nga ana tjetër duhet të shohin ish ministrin e Brendshëm, deputetin e Partisë Demokratike Flamur Noka që ka dhënë dëshmi të rreme në formularin e dekriminalizimit, e që sipas ligjit duhet të lerë mandatin.
Ky është momenti i të vërtetës.
Ndaj është koha që Prokuroria të nisë sa më parë hetimet, dhe Lulzim Basha të shprehet se çfarë do të bëjë Partia Demokratike me deputetin e saj në shkelje flagarante të ligjit?
KOHA JONË SONDAZH

