PS thirrje qytetarëve: Votoni masivisht
Partia Socialiste ju ka bërë apel qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime. Deputetja e Ps-së Olta Xhaçka, tha se vota është e drejtë e çdo qytetari dhe ata duhet ta ushtrojnë atë për të vendosur se si duan të drejtohet komuniteti I tyre. Ndërkohë Xhaçka ju ka bërë apel komisionerëve që të zbatojnë ligjin dhe të vijojnë punën normalisht.
"Falenderojmë të gjithë qytetarët shqiptarë anembanë vendit që kanë votuar deri në këtë moment. Falenderojmë të gjithë komisionerët dhe të gjithë ata burra e gra që janë angazhuar për të mundësuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Falë punës dhe ndjenjës së tyre të përgjegjësisë procesi deri tani ka ecur mirë dhe pa probleme të theksuara.
E po ashtu, një falenderim i shkon dhe të gjithë strukturave të shtetit për sjelljen e tyre profesionale e në respekt të ligjit.
Shfrytëzojmë këtë moment për të ftuar të gjithë komisionerët e qendrave të votimit në ato vende ku janë vënë re problematika sporadike e të izoluara, që t’i zgjidhin ato duke respektuar rreptësishtë ligjin dhe duke mbajtur parasysh se në këtë ushtrim të demokracisë, mbarëvajtja e procesit ka shumë më tepër rëndësi sesa rezultati. Është ky parim themelor që duhet të udhëheqë punën e tyre në çdo moment të procesit të zgjedhjeve.
Dëshirojmë t’u bëjmë një thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar, që në këto orë që kanë mbetur të dalin e t’u drejtohen qendrave të tyre të votimit, të ftojnë familjarët, miqtë e kolegët e tyre që të bëjnë të njëjtën gjë. Vota është jo vetëm një e drejtë themelore e çdo qytetari në një demokraci, por edhe një përgjegjësi e madhe që çdo qytetar ka ndaj vetes dhe komunitetit ku jeton. Në këto zgjedhje kjo është më e vërtetë se kurrë pasi ato prekin në mënyrën më të drejtpërdrejtë jetën dhe të ardhmen e gjithsecilit prej tyre, të çdo familje, të çdo rruge e rrugice, të çdo lagje", deklaroi deputetja Xhaçka.