Pse u hoq Balla si ministër i Brendshëm? Mediu: Askush nuk e di, PS të bëjë transparencë

Kreu i PR-së. Fatmir Mediu thotë se Partia Socialiste duhet të bëjë transparencë në lidhje me ndryshimet e fundit në qeveri që u njoftuan nga kryeministri Edi Rama në Kongresin e saj, ditën e dielë. Për të askush nuk e di pse u largua Taulant Balla si ministër i Brendshëm.

“Ishte një shfaqje e ngjashme me ato të Koresë së Veriut, ku Liderin Suprem të gjithë e duartrokasin dhe të gjithë i buzëqeshin, pavarësisht se si ndihen. Duket që Shqipëria nuk është më as republikë kryeministrore, por republikë e një njeriu që bën lëvizje sipas dëshirave të veta.

Nuk ka fare transparencë për arsyet e të gjitha këtyre lëvizjeve në qeveri. Secili bën hamendësimet e veta, por asnjëri nuk e di pse u largua Taulant Balla apo Ervin Mete, i cili nuk mësoi dot se ku ishte zyra e Ministrit të Financave. Pa dashur të paragjykoj ata që i zëvendësuan, mendoj që PS ka histori të vetën politike dhe ka nevojë për transparencë tek ata që i kanë zgjedhur”, tha Mediu në ”A2cnn”.

SHKARKO APP