PS/Sterkaj debat me Xhafën: Hetuesit e SPAK-ut me këto kritere, vetëm në befotrof i gjejmë
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së gjatë ditës së djeshme, një ndër pikat e diskutuara mes deputetëve ka qenë dhe miratimi i 6 projektligjeve që shoqërojnë reformën në drejtësi.
Kjo paketë ligjesh pritet të votohet ditën e enjte në seancën parlamentare, ndaj kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi pjesëmarrjen e padiskutuar të të gjithë deputetëve. Fatmir Xhafaj i ka njohur kolegët me qëllimin dhe synimet e 6 projekteve që ata do të votojnë të enjten. Mësohet se ai ka kërkuar mbështetjen e të gjithë deputetëve për të miratuar 6 projektligjet e rëndësishme.
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit, ku mungoi kryeministri Edi Rama, Xhafaj tha për gazetarët se: “I kam njohur kolegët e mi me përmbajtjen e gjashtë projektligjeve, të cilat pritet që të votohen ditën e enjte në seancë plenare. Kam marrë pyetje dhe kam dhënë përgjigje. Ajo që është shumë e rëndësishme dhe ajo që ka qenë gjëja më me vlerë në gjithë këtë proces, është mbështetja e tyre e pakufizuar për reformën në sistemin e drejtësisë dhe gjithë këtë paketë ligjore”.
Gazeta Shqiptare ka zbardhur debatin në mbledhjen e djeshme, ku protagonist ishte deputeti Paulin Sterkaj, i cili mbetet skeptik për mënyrën se si do të zbatohet ligji për gjykatat speciale dhe prokurorinë speciale. Sipas burimeve, ai i ka cilësuar tejet të ashpra kriteret që duhet të plotësojnë këta gjyqtarë e prokurorë. Për tiu përgjigjur kritikave të deputetit, u angazhua deputeti i cili është dhe kryetari i komisionit për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj. Ai i ka shpjeguar kolegut të tij duke i thënë se: “Ky nuk është kriter për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët. Është një kusht për ata që do të shprehin vullnetin për të qenë pjesë e Njësisë Speciale Antikorrupsion, ose SPAK-ut”.
Sterkaj ka reaguar duke iu përgjigjur duke i thënë se: “Vetëm nëse i marrim nga befotrofi dhe i sjellim në SPAK, se ndryshe nuk kemi ku i gjejmë njerëz që të mos kenë lidhje dhe që të lejojnë përgjimin e familjeve”.
KOHA JONË SONDAZH

