”Public Square” nga Ditmir Bushati: Anëtarësimi në BE, si vrapimi me pengesa!

”Public Square” është nisma më e fundit e ish-ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati. ”Public Square” është një hapësirë virtuale komunikimi dhe ndërveprimi për çështje me interes publik dhe që meritojnë vëmendje të posaçme. Ai ka zgjedhur të flasë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, i cili sipas tij, shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes europiane.

“Sot do të flasim për atë që duhet të ishtë ngjarja më e rëndësishme e vitit jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete”, thotë Bushati, që në nisje të këtij Podacasti.

Për ish-ministrin e jashtëm, megjithëse nisja e bisedimeve është një moment i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe kurorëzim i përpjekjeve të mijëra kontributorëve, paradoksalisht ndjehet njëfare apatie dhe lodhje nga ky proces. Më tej ai e krahason rrugën e Shqipërisë drejt BE-së me një rrugë të thepisur.

Sipas Bushatit, “Zgjedhja para nesh është e qartë: reformim dhe anëtarësim në BE, që do të thotë mirëqënie, ose zvarritje dhe pranimi i tranzicionit si një gjendje e përhershme”.

Në këtë Podcast, Bushati flet për nevojën e një platforme sa më përbashkuese për këtë proces, për identifikimin e interesit të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, për përcaktimin e avantazheve të krahasuara, për ruajtjen e pasurisë publike, përfshirjen reale të diasporës, për nevojën e një shërbimi publik, për reformimin e universiteteve dhe kërkimit shkencor, për suksesin që duhet të vijë përmes inovacionit dhe marrjes përsipër të riskut, për konkurrencën e ndershme dhe respektimin e të drejtave dhe lirive politike.

Për Bushatin, “Mbi të gjitha, potenciali i brezit të ri duhet vendosur në shërbim te vendit, pasi Shqipëria Europiane duhet të hedhë mbas krahëve ngjarjet e trishtueshme të Otrantos së djeshme, apo të Le Manshit të sotshëm”.

SHKARKO APP