Publikohet kontrata e lobimit mes PD dhe “Sonoran Policy Group”
Partia Demokratike ka firmosur një kontratë lobimi me kompaninë Sonoran Policy Group me një vlerë totale prej 40,000 dollarësh dhe kohëzgjatje 4 mujore. Kontrata e bërë publike nga kanale të selisë rozë është e vlefshme nga data 11 qershor deri në 11 tetor dhe mban firmën e kreut të demokratëve Lulzim Basha dhe drejtorit ekzekutiv të firmës, njëkohësisht një prej themeluesve të saj Robert D. Stryk. Qëllimi i kontratës është përcaktuar të jetë ndërtimi i një strategjie kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar përmes punës me agjenci ligjzbatuese vendase apo ndërkombetare për izolimin dhe luftën ndaj epidemisë së krimit të organizuar.
Kompania Sonor e Robert Stryk ka punuar në zgjedhjet e fundit presidenciale në Shtetet e bashkuara për presidentin Donald Trump.


Firma është rakorduar 17 ditë para se Bashkimi Europian të marrë vendimin mbi çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Teksa vendi gjendet mbi “tehun e shpatës” për të bindur ndërkombëtarët që të hapin “dritën jeshile”, një lobim i tillë mund të ndikojë në vendimmarrjen e shteteve të BE-së që mund të vendosin veton ndaj Shqipërisë.
Sipas pikave të kontratës, PD do t’i paguajë kompanisë amerikane 40.000 USD në muaj. Në kontratë parashikohet që kompania lobuese amerikane të organizojë takime mes përfaqësuesve të PD dhe kongresmenëve e autoriteteve të larta amerikane. Fokusi është promovimi i strategjisë së demokratëve në SHBA për luftën kundër krimit të organizuar.
“Konsulenti do të punojë me opozitën shqiptare për të ndërtuar një strategji anti-narkotike dhe kundër krimit të organizuar për Shqipërinë. Marrëveshja do të lehtësojë takimet dhe bashkëveprimet me Shtetet e Bashkuara. Do të mundësohen takime me zyrtarët e administratës për angazhimin e Klientit (Basha), Kongresit dhe Ekzekutivit, si dhe çështjet ekonomike. Do të punojë me agjencitë e zbatimit të ligjit vendas dhe ndërkombëtar për të luftuar epideminë e krimit të organizuar, si dhe të kryejë çdo detyrë shtesë mbi një marrëveshjen e rënë dakord”, shkruhet ndër të tjera në kontratën e nënshkruar.
Fatura financiare: 40 mijë dollarë në muaj
Klienti (Basha) do të paguajë konsulentin amerikan dyzet mijë dollarë amerikanë ($ 40.000.00) në muaj.
“Përveç kompensimit, klienti duhet të rimbursojë kompaninë për të gjitha shpenzimet e arsyeshme dhe zakonore jashtë xhepit të shkaktuara nga Konsulenti në lidhje me përmbushjen e kësaj marrëveshjeje”- theksohet në marrëveshje.
Kompania në hetim për tregti armësh dhe biznese të dyshimta në Zelandën e Re
Kompania e kontraktuar për të kryer lobimin, në bazë të investigimeve nga media amerikane, rezulton që të jetë marrë me tregti armësh dhe biznese të dyshimta me Zelandën e Re, për ç’ka është vendosur nën hetim.
“Sonoran Policy Group, LLC” është një kompani e vogël lobimi e cila ju afrua fushatës së presidentit amerikan Donald Trump përmes njohjeve me kongresmenët Dana Rohrabacher dhe M. Flynn.
Rohrabacher njihet për afrimitetin e tij me liderin e opozitës Lulzim Basha, ku vitin e shkuar gjatë protestës në çadër ai përcolli një letër “pro-opozitare”, në të cilën vinte në pikëpyetje funksionimin e qeverisë dhe bënte thirrje për oponencë nga qytetarët. /shqiptarja.com
KOHA JONË SONDAZH

