Punimet në Kuvend, Bylykbashi: Rama e Gjiknuri janë në hall të madh, por s’ka sistem që do i shpëtojë
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik të krijuar për realizimin e reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi ka reaguar ashpër ndaj votimit në Kuvend të ndryshimeve të njëanshme nga mazhoranca dhe pseudo-opozita parlamentare në Kodin Zgjedhor.
Përmes rrjeteve sociale, Bylykbashi i kujton Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit se broçkullat që sistemi Italian nuk është i njëjtë me atë shqiptar i thua vetëm kur je në hall. Tani u mbetet vetëm të thonë që italianët nuk janë njësoj me shqiptarët.
“Broçkullat që sistemi Italian nuk është i njëjtë me atë shqiptar i thua vetëm kur je në hall. Tani u mbetet vetëm të thonë që italianët nuk janë njësoj me shqiptarët. Kur je në hall thua edhe të fundit, pa t’u skuqur fytyra.
Kur kërkuan një vend europian ku përdoret koalicioni me listë të përbërë siç e ka Shqipëria, ia treguam. Është Italia, vendi që e përdor aktualisht për zgjedhje për parlamentin kombëtar, për parlamentet rajonale si Lombardia, Lazio, Puglia, Siçilia, etj., ku votojnë më shumë zgjedhës seç ka banorë Shqipëria, por e përdor edhe për këshillat bashkiake të Romës, Milanos, Bolonjës, Firences, etj., ku votojnë më shumë zgjedhës seç votojnë në Shqipëri. Italia është vendi i madh europian nga ku e kemi marrë këtë model të mirënjohur, me konsensus PS-PD që në vitin 2003.
Kur gënjyen se koalicioni me listë të përbërë nuk përdoret dot me listat e hapura, ia provuam publikisht që gënjejnë. Italia i zgjedh “parlamentet” lokale të Romës, Milanos, Bolonjës, apo Firences, me votim proporcional me lista të hapura, ku zgjedhësi ka të drejtë të votojë dy kandidatë nga lista e partisë së koalicionit. Partitë italiane në këto zgjedhje parlamentesh lokale lidhen në koalicion njësoj si në Shqipëri, por ruajnë identitetin duke garuar secila me listën e vet të hapur të kandidatëve. Zgjedhësit italianë kanë të drejtë të zgjedhin kandidatin që duan tek lista e partisë së koalicionit.
Thanë që me koalicionin siç e kemi ne, me listë të përbërë, fleta e votimit bëhet shumë e komplikuar. Por ja që Italia e ka zgjidhur. Zgjidhjen me një fletë të thjeshtë votimi e kemi demonstruar edhe ne prej disa muajsh.
Sisteme demokratike në Europë ka plot, por nuk ka sistem që ta shpëtojë Ramën nga humbja e thellë që e pret!”, deklaron përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi.