Punoni në të zezë? Rama: Denonconi pronarin dhe përfitoni shpërblim financiar
Një ditë pasi bëri me dije paketën e dytë për ndihmën ekonomike ndaj të prekurëve nga masat e marra nga qeveria për pandeminë e Covid-19, këtë të martë kryeministri Edi Rama përmes një video live në facebook, ka bërë me dije se do të shpërblehet edhe kush ka punuar në të zezë. Por kjo sipas kreut të qeverisë, do të përfitohet vetëm nëse ata do të kenë kurajën të denoncojnë kompaninë ku kanë punuar në të zezë.
“Do t’u japim një shpërblim financiar dhe do marrim përsipër ta ndjekim punën deri në fund që pronari ti regjistrojë dhe do kërkojmë nga pronari të jenë në mbështetje të kësaj nisme, përndryshe do të duhet të përballet me ligjin. nuk mund ta bëj dot nëse këtu vetëm ankoheni isha në të zezë, po ne nuk jemi, ne ju duhemi për vota, asnjë shtet nuk e bën këtë se është e pabëshme, më thoni si e ndajmë ne atë që vjen dhe thotë të vërtetën dhe atë që gënjen. dhe të na dalin këtu sikur të gjithë janë rropatur në të zezë. ndërkohë që e vërteta është që një pjesë ka jetuar me lekët e prindërve duke pirë kafe”.
Nga ana tjetër, Rama tha se bonusi 40 mijë lekë do t’i jepet drejtpërdrejt në llogari personit të punësuar dhe jo biznesit. Marrëdhëniet do të jenë direkt, dhe pas aplikimit në drejtorinë e Tatimeve, do të bëhen verifikimet dhe paratë do i kalojnë gjithsecilit prej punonjësve në bankë. Ai u tregua i qartë kur tha se nuk shtyhen pagesat e sigurimeve shoqërore. “Ti do t’i paguash sigurimet shoqërore të të gjithë atyre që ke në punë”.