Pushtimi i Ukrainës ”përçan” politikën shqiptare

Nga: Redjon Shtylla

Ndëshkim e sanksione për Rusinë, dhe mbështetje për Ukraninën. Ky është drejtimi i botës për agresionin rus në Ukrainë, ku presidenti ukrainas Zelensky e quan gjenocid. Por ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri mes palëve nuk ka një gjuhë të përbashkët, dhe palët kundërshtare kanë propozuar rezoluta të ndryshme.

Deputetët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, kanë hartuar një rezolutë për luftën Rusi-Ukrainë. Rezoluta e hartuar do të diskutohet nesër në Parlament dhe kërkon që të dënohet agresioni rus ndaj Ukrainës. Shqipëria sipas Komisionit të Rithemelimit, duhet menjëherë të largohet nga nisma ”Open Balkan”, për shkak të Serbisë që nuk dënoi agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur qëndrimeve të Sali Berishës, ku thotë se në Shqipëri ka politikanë dhe analistë që përdorin luftën në Ukrainë, për të sulmuar qeverinë. Përmes një postimi në Twitter, Rama nënvizon se ndihma nuk është dhënë për të luftuar me gratanongratat e Tiranës.

”Disa politikanë e analistë mbrojnë Ukrainën për të sulmuar qeverinë, që sipas tyre nuk ka dhënë asnjë ndihmë konkrete! Jo vetëm e kemi dhënë, po e kemi dhënë ndër të parët. Por nuk e kemi dhënë për t’u dukur këtu në Tiranë dhe aq më pak për të luftuar me gratanongratat e Tiranës”.

Mes të tjerash, kryeministri Rama thekson se pavarësisht faktit se Shqipëria është një vend i vogël, është dëgjuar me respekt për këtë çështje. Ndërkohë është përgatitur një projekt-rezolutë që pritet të miratohet në Kuvend, pas dakordësimit të të gjitha Grupeve Parlamentare në vend, ku shprehet mbështetja e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe Mbrojtja e Parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Sigurisë Evropiane. Në Tiranë si në çdo vend të botës që dënojnë Rusinë, janë mbajtur protesta pro Ukrainës.

SHKARKO APP