Putin thirrje ushtarëve ukrainas: Dorëzoni qeverinë, largoni Zelensky-n
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë, u bëri thirrje ushtarëve ukrainas që të dorëzojnë qeverinë e tyre, por mbi të gjitha presidentin Volodymyr Zelenskyy. Putin thotë se qeveria neo-naziste po luan, dhe ka mbështetjen e SHBA-së.
“Përplasjet nuk i kemi me ushtrinë e rregullt të Ukrainës, por me militantët nacionalistë që janë përgjegjës për gjakderdhjen që po shohim në Ukrainë. Këta nacionalistë që janë futur në ushtrinë ukrainase, po e përdorin atë. Mund të shohim sesi këto forca neonaziste dhe nacionaliste kanë armatosur civilët në mënyrë që ne të fajësojnë Rusinë se po qëllon ndaj civilëve. E dimë që këtë po e bëjnë të këshilluar nga Shtetet e Bashkuara”, tha Putin.
Më pas ai u drejtohet forcave ukrainase duke thënë “Po ju drejtohem edhe një herë ushtarakëve të forcave të armatosura ukrainase: mos lejoni neo-nazistët të përdorin fëmijët tuaj, gratë tuaja dhe të moshuarit si mburojë njerëzore. Merrni pushtetin në duart tuaja. Duket se ju dhe ne do ta kemi më të lehtë të arrijmë një marrëveshje sesa me atë bandë të neo-nazistëve në Kiev.”
Luftimet për kontrollin e Kievit janë intensifikuar mes rusëve dhe ukrainasve. Beteja kryesore po zhvillohet në qytetin Çernihiv, rreth 105 kilometra larg Kievit. Bashkimi Europian po përgatitet të ngrijë asetet e presidentit rus dhe ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov në Evropë, por nuk do t’u ndalohet hyrja në BE për të lënë derën e diplomacisë hapur.