Pyetjet gozhduese të Metës që nxjerrin zbuluar Venecian
Në letrën publike që Presidenti Ilir Meta i ka dërguar kreut të Komisionit të Venecias, veç komenteve për projekt-opinionin, janë dhe një sërë pyetjesh që i drejtohen në rrugë zyrtare këtij institucioni.
Pyetjet e kreut të shtetit paraqesin gjithë problematikën ligjore që ka sjellë krizën në Shqipëri, si dhe kërkojnë shpjegime nga ekspertët e Venecias për çështjet kontraditktore që kanë shkuar në projekt-opinion. “Nisur nga situata e paprecedentë ku ndodhet sot vendi im, ku asnjë prej institucioneve kushtetuese të sistemit gjyqësor që garantojnë kontrollin dhe balancën midis pushteteve nuk funksionon, si dhe në kushtet kur kriza e rëndë duket se po hyn drejt një zgjidhjeje falë investimit të autoriteteve më të larta të vendeve partnere kryesore europiane, do të kërkoja që shqyrtimi i kësaj çështjeje të marrë vëmendjen më të plotë të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias”,- shkruan kreu i shtetit në letrën ku janë bashkangjitur dhe pyetjet.
Pyetjet e kreut të shtetit për Komisionin e Venecias
Presidenti i Republikës, si palë e interesuar në këtë proces, vlerëson të domosdoshme dhënien e opinionit nga Komisioni i Venecias edhe për pyetjet dhe çështjet e mëposhtme:
- Përveç Presidentit të Republikës, cilit institucion tjetër i njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë të drejtën e caktimit të datës së zgjedhjeve?
- A ka ndonjë Gjykatë në Republikën e Shqipërisë që ka urdhëruar shfuqizimin e Dekretit të Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10.06.2019 dhe Dekretit nr.11211, datë 27.06.2019? A është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë i vetmi organ që shqyrton kushtetutshmërinë e Dekreteve të Presidentit të Republikës?
- A i është kërkuar Komisionit të Venecias të japë një opinion për vlerësimin e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019? A është në kompetencën e Komisionit të Venecias vlerësimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri? A vendos një vlerësim i ndryshëm nga OSBE/ODIHR mbi procesin zgjedhor një precedent përplasjeje midis institucioneve ndërkombëtare? A i ka kërkuar Komisioni i Venecias opinion Kongresit të Autoriteteve Lokale mbi vendimin për mosdërgimin e vëzhguesve për procesin zgjedhor të 30 qershorit në Shqipëri, duke patur parasysh se të dy këto institucione veprojnë nën suazën e Këshillit të Europës?
- A përfshihet në fushën e veprimtarisë së Komisionit të Venecias përcaktimi shkallës së nivelit të sigurisë në Republikën e Shqipërisë? A kanë patur reporterët në dispozicion të dhëna nga agjencitë e specializuara të sigurisë? A mund të shprehen ekspertët e Komisionit të Venecias mbi gravitetin e fakteve dhe grupfakteve që Presidenti i Republikës disponon në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për situatën kërcënuese të rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri?
- Në rast se në një rend shoqëror demokratik realizohen zgjedhje vetëm me një kandidat dhe pa alternativa konkurruese: A do të përbënte gjendje shkelje apo cënim të parimeve themelore kushtetuese (të parashikuara nga nenet 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, të Kushtetutës)? A do të përbënte shkelje të standardeve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencës së saj në lidhje për respektimin e Nenit 3, të Protokollit 1 të saj?
- Nën dritën e faktit se Gjykata Kushtetuese ka 18 muaj që është jashtë funksionit: A përbën kjo një situatë krize kushtetuese? A sjell pasoja në respektimin dhe zbatimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, ndarjes e balancimit të pushteteve, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe demokracisë? A ka pasoja për rendin kushtetues dhe respektimin e kushtetutshmërisë? A krijon terren për nxitjen e konflikteve institucionale ndërmjet organeve kushtetuese? A pamundëson kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve/vendimeve të organeve qendrore, pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit legjislativ? A mundet që Kuvendi të ushtrojë kompetencat e kontrollit kushtetues që neni 131 i Kushtetutës ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese?
- Referuar përmbajtjes së Kushtetutës së Shqipërisë: A ka kompetencë Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë apo të shprehet me vendim për të vlerësuar, apo për të rrëzuar dekretet e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor? A i nënshtrohet kontrollit nga Parlamenti Dekreti për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor dhe nëse po, cila është dispozita që e bën të mundur këtë? Cila është vlera detyruese e Rezolutave që miraton Kuvendi i Shqipërisë në përcaktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore?
- Miratimi nga Kuvendi i Rezolutës datë 13 qershor 2019, mbi vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019 dhe thirrja ndaj të gjithë institucioneve shtetërore për moszbatimin e dekretit: A përbën shkelje kushtetuese nga Kuvendi bllokimi i veprimtarisë dhe vendimmarrjes kushtetuese të Kreut të Shtetit? A cënon rolin e Presidentit të Republikës si ndërmjetës dhe Arbitër midis palëve? A shkakton prishje të ekuilibrave institucionale dhe kushtetues dhe për rrjedhojë tronditje të themeleve të shtetit të së drejtës?
- Në kushtet kur Kuvendi ka shprehur qëndrimin e tij me Rezolutën e datës 13 qershor, ku votues të këtij akti janë 100 deputetë dhe ku përfshihen edhe anëtarët e Komisioni të Posaçëm Hetimor Parlamentar, a është në kundërshtim me parimin e zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor?
- Në kushtet e qëndrimeve refraktare të të dy palëve ndaj thirrjeve të përsëritura të Presidentit për dialog, a kishte Presidenti në dispozicion ndonjë mekanizëm tjetër, të ndryshëm nga nxjerrja e dekreteve apo veprimtaria që ai kishte kryer, që të krijonte një mundësi për rinisjen e dialogut politik, ruajtjen e paqes sociale, uljen e tensionit, për të arritur në zgjidhjen e krizës ashtu dhe në ruajtjen dhe respektimin e parimeve kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare?