Qeveri teknike, Mustafaj: Kërkesa të shtrohet në mënyrë demokratike
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj shprehet se është e nevojshme një kulturë e re politike. Ndërkohë, opozita po përgatitet për një protestë paqësore ditën e enjte, para Kuvendit. Kjo protestë po përgatitet kryesisht nga strukturat e PD-së, Tiranë
Ish-ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj vlerëson se kërkesa e opozitës për qeveri teknike duhet shtruar në mënyrë demokratike.
“Është një kërkesë demokratike, që duhet parë në kontekst dhe duhet shtruar në mënyrë demokratike, jo vetëm formuluar në mënyrë demokratike”, – tha Mustafaj në një intervistë për “Ora News”.
Mustafaj flet edhe për një rezultante të 25 viteve politike që pas rënies së komunizmit. Ai thekson se politika i ka të gjitha shanset për të zbritur në një terren logjik, me qëllim anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re politike dhe thelbi i kësaj kulture është toni i ulët, propozues, toni konstruktiv, transformimi i atij që ke përballë nga armik që konsiderohet sot, në kundërshtar politik, por që kemi të përbashkët Shqipërinë…”, – tha ai.
Parë në këtë prizëm, Mustafaj tregohet i kujdesshëm sa i përket zhvillimeve politike në vend, që së fundmi kanë pikënisje edhe protestën e 8 dhjetorit.
Pak ditë më parë, ai u shpreh se në këtë protestë nuk pati dhunë dhe se kryeministri Rama u tregua i dobët për t’u viktimizuar.
“…Përpjekjet për ta quajtur dhunë hedhjen e vezëve nuk më duken serioze. Edhe thyerja e ca pak xhamave me gurë, edhe pse nuk duhej të ndodhte, nuk është megjithatë dhunë. Gurët, aq sa qenë, nuk u drejtuan kundër policëve. Qeveria dhe personalisht Rama tregoi një dobësi të madhe nervash me përpjekjen e vet për t’u viktimizuar. Dashurinë e munguar popullore, ai po përpiqet ta zëvendësojë me frikë popullore nga opozita. Për një politikan që e ka obsesion të zërë vend në histori, siç e ka deklaruar vetë, kjo nuk është dinjitoze…”, – u shpreh Mustafaj.
E në fakt, opozita në protestën e dytë të paralajmëruar do të mbajë vath në vesh të gjitha porositë (kryesisht nga ndërkombëtarët) për të mos zhvilluar një tubim të dhunshëm.
I tillë do të jetë edhe ai i ditës së enjte para Kuvendit, në një kohë që brenda saj do të mbahet seanca për miratimin nen për nen të projektbuxhetit të kontestuar fort nga opozita.
“Kambanat bien për qytetarët shqiptarë, për një bashkim të madh të enjten më datë 17, para Kuvendit të Shqipërisë, ku banda kriminale në pushtet që mbylli me ligj hetimin e vjedhjes më të madhe, vjedhjes së shekullit prej 600 milionë eurosh, dëshiron të rikuperojë para duke vendosur taksa të reja, me taksa më të larta për vitin 2016. Të enjten, brenda në parlament, banda e kusarëve do të mundohet të konfirmojë me kartonët shurdhë-memece të deputetëve, të pakicës oligarkike në Shqipëri, atë që shumica e shqiptarëve demokratë, socialistë nuk e duan. Një buxhet të konfirmimit të krizës, një buxhet të konfirmimit të dështimit të kësaj qeverisjeje, një buxhet të konfirmimit të katastrofës kombëtare…”, – u shpreh Basha dy ditë më parë, pas mbledhjes së kryesisë së PD-së.
Kjo protestë pritet të organizohet kryesisht nga strukturat e PD-së së Tiranës.
“Ky është vendimi i kryesisë së Partisë Demokratike. Sezoni i protestave nis për të mos u ndalur deri në largimin e qeverisë Rama-Meta”, – shtoi Basha.
Në axhendën e protestës është parashikuar edhe data 21 dhjetor, atëherë kur pritet të mbahet edhe seanca e fundit e Kuvendit.
KOHA JONË SONDAZH

