”Qeveria do protesta që të marrë masa”, qytetarët para Kryeministrisë: Kush mbjell uri, do korri revoltë
Qytetarët janë rikthyer para Kryeministrisë për të vijuar me protestat kundër rritjes së çmimeve. Ata shprehen se vetëm me protesta, qeveria merr masa. Kjo është protesta e 9-të e cila po mbahet para Kryeministrisë.
Protestuesit e pezulluan për disa ditë protestën por duke parë disa nga vendimet e qeverisë dhe Këshillit të rezistencës sociale për çmimin e naftës janë mbledhur sërish sot.
Që prej fillimit të rritjes së çmimeve mijëra qytetarë janë mbledhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Ata kanë pasur të njëjtat thirrje, “të ulen çmimet”, “kërkojmë një jetë me dinjitet”.
Për kryeministrin Edi Rama protestuesit janë një pakicë që kërkon të bëjë rrëmujë dhe jo populli. Ai ka prezantuar një paketë të rezistencës sociale që do vijë në ndihmë për të lehtësuar krizën ekonomike.
Kërkesat e protestuesve
-Heqje i taksës së qarkullimit.
-Pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.
-Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë
-Zgjerim i skemës se kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.
-Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës
-Përcaktim i minimumit jetik.
-Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve.