Qeveria e re e Maqedonisë Veriut nga 24 anëtarë qeverie, vetëm 3 gra!

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut u miratua të dielën në mbrëmje me 77 vota për, 22 kundër dhe asnjë abstenim. Partitë e Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim e lëshuan seancën e parlamentit para se të votohej kabineti qeveritar.

Kryeministri i ri, Hristijan Mickovski dhe anëtarët e kabinetit e bënë betimin me emrin kushtetues të vendit që është ‘Maqedonia e Veriut’, ndërsa zoti Mickovki tha gjatë fjalimit para votimit se detyrohej ta respektojë këtë referencë kushtetuese, ndërkohë që e quajti atë “të turpshme” për populllin e këtij vendi.

“Do të bëj ç’mos deri sa të jem gjallë që ta rregulloj këtë padrejtësi. Por për fat të keq për momentin jam i pafuqishëm dhe më duhet të kapituloj si njeri dhe ta them para jush”, u shpreh ai.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të ketë 24 anëtarë përfshirë kryeminstrin; pesë do të jenë zëvendës-kryeministra dhe vetëm tri gra do të jenë ministre.

VMRO-ja do të drejtojë 15 ministri; koalicioni Vlen 6 dhe partia Znam 2 ministri. Përfaqësuesit e koalicionit Vlen në qeveri janë: Izet Mexhiti, Zëvendës-kryeministër dhe Ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë, Besar Durmishi i Ekonomisë dhe Punës, Orhan Murtezani, Ministër për Integrimet Evropiane, Fatmir Limani, Ministër për të Rinjtë dhe Demografinë dhe Arben Fetai, Ministër i Qeverisjes dhe Politikave të Mira.

SHKARKO APP