Qeveria e rrëzuar e Kosovës, marrëveshjet e fshehta dhe akuzat për krime lufte ndaj politikanëve kosovarë

By Marija Ristic

Rrëzimi i qeverisë së Kosovës erdhi për shkak të mosmarrëveshjeve politike, por disa analistë besojnë se mund të ketë lidhje me një marrëveshje të diskutueshme me Serbinë ose akuzat për krime lufte të politikanëve të vjetër nga prokurorët e Hagës.

U deshën 11 orë debat në parlament, shumë takime me dyer të mbyllura gjatë muajit të kaluar, një shkëmbim letrash, disa miq të fuqishëm me lidhje në Uashington dhe një moment i favorshëm kur të gjithë u hutuan nga një pandemi globale, që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të siguronte një mocion mosbesimi për të rrëzuar qeverinë e udhëhequr nga kundërshtari i tij politik Albin Kurti.

Veterani politik Thaçi, një ish-lider guerilas që ka ruajtur kontrollin e tij për vendimmarrje në Kosovë që nga fundi i luftës më shumë se dy dekada më parë, përsëri arriti t’i kthente gjërat në avantazhin e tij.

Zyrtarisht, qeveria e Kurtit ra për të njëjtën arsye si administrata e mëparshme e Kosovës, një mosmarrëveshje midis partnerëve të koalicionit mbi tarifën 100 për qind të Kosovës për importet e mallrave serbe dhe të ardhmen e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian midis Prishtinës dhe Beogradit.

Por shumë kanë spekuluar dhe është ajo që shumë diplomatë i kanë thënë BIRN – se pas të gjithë kësaj qëndron fakti se presidenti Thaçi është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Serbinë që nuk do të mirëpritej nga qeveria e Kurtit.

Në këtë përpjekje, Thaçi besohet të ketë siguruar mbështetjen e të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump për negociatat e paqes Serbi-Kosovë, Richard Grenell. Një njeri me shumë tituj – ai është gjithashtu drejtor i Inteligjencës Kombëtare dhe ambasadori amerikan në Gjermani. Grenell ka mohuar që ndarja e Kosovës të jetë diskutuar në fshehtësi si pjesë e marrëveshjes së përfolur të paqes.

Megjithatë, SHBA-ja e mbështeti votimin për mocionin e mosbesimit ndërsa BE-ja e kundërshtoi atë si diçka të papërgjegjshme në mes të krizës së koronavirusit. Dhe me largimin e administratës së Kurtit, Thaçi do ta kishte më të lehtë të vuloste një marrëveshje.

Kosova padyshim që po hyn në një periudhë të stuhishme. Ashtu si pjesa tjetër e botës, ajo po lufton me shpërthimin e koronavirusit, por me problemin e shtuar të një sistemi të dobët kujdesi shëndetësor, ndërkohë që gjithashtu duhet të merret me negociatat me Beogradin dhe krizën aktuale politike të brendshme, e cila mund të kërkojë madje zgjedhje të reja të përgjithshme.

Por për Thaçin dhe ish-shokët e tij të UÇK-së po afron edhe një tjetër problem. Gjyqtarët në të ashtuquajturën Gjykatë Speciale me qendër në Hagë, e cila do të gjykojë ish-guerilasit e UÇK-së për krime lufte dhe të pas luftës – aktualisht po shqyrtojnë aktakuzat e paraqitura në janar të këtij viti nga kryeprokurori Jack Smith.

Smith, i cili drejton Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, është marrë gjithë vitin me marrjen në pyetje të më shumë se 100 ish-luftëtarëve të UÇK-së që besohet se kanë njohuri për krimet e kryera në Kosovë gjatë periudhës që ka në kompetencë gjykata, nga 1 janari 1998 deri më 3 dhjetor 1999.

Rreth gjysma e atyre që pretenduan se ishin marrë në pyetje si të dyshuar ishin bashkëpunëtorë ose anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës të Thaçit. Midis tyre ishte Kadri Veseli, lideri aktual i partisë dhe anëtar i parlamentit të Kosovës. Kishte zëra se edhe Thaçi ishte thirrur për t’u marrë në pyetje, por ai nuk pranoi ta konfirmonte këtë për BIRN.

Thaçi dhe amerikanët

Publiku i Kosovës mbetet i ndarë në lidhje me arsyet e vërteta pas lëvizjes për rrëzimin e qeverisë. Disa argumentojnë se është thjesht një luftë për pushtet midis partive politike, ndërsa për të tjerët bëhet fjalë për marrëdhënien me Serbinë.

Megjithatë, disa besojnë se mes ish-guerilasve që tashmë janë politikanë të lartë ekziston frika se ata së shpejti mund të paditen dhe se rrëzimi i qeverisë është pjesë e përpjekjes së tyre për ta parandaluar këtë duke marrë në dorë pushtetin ekzekutiv.

Haki Abazi, zv/kryeministri në qeverinë e rrëzuar së fundmi të Kosovës, tha se përgjigjja e plotë për atë që kishte çuar në mocionin e mosbesimit qëndron në një shkëmbim letrash midis Thaçit dhe Mike Pompeo, Sekretarit Amerikan të Shtetit.

“Përpjekja për të rrëzuar këtë qeveri ka të bëjë me planin për ndarjen e Kosovës dhe shfuqizimin e Gjykatës Speciale”, tha Abazi.

Abazi po i referohej një dokumenti të publikuar nga gazeta kosovare Koha më 5 mars, në të cilën Pompeo i përgjigjet letrës së presidentit të Kosovës nga nëntori i vitit të kaluar. Letra e Thaçit “shprehte shqetësime për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, sipas Pompeo.

Pompeo u përgjigj duke theksuar mbështetjen e Uashingtonit për punën dhe mandatin e gjykatës me qendër në Hagë dhe përsëriti pritshmëritë e SHBA-së që politikanët dhe institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë plotësisht me Dhomat e Specializuara.

Sipas mandatit të saj, gjykata u themelua për të hetuar dhe, nëse është e nevojshme, për të ndjekur penalisht individë për krime të cituara në një raport të janarit 2011 për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”.

Raporti i Këshillit të Europës iu referua disa herë Thaçit, duke e përshkruar atë si një udhëheqës të “Grupit Drenica” të UÇK-së, i cili lidhej me rrëmbime, torturë dhe krim të organizuar në Kosovën e pas luftës. Thaçi, i cili ishte drejtori politik i UÇK-së gjatë luftës, i mohoi pretendimet, duke e përshkruar raportin, dhe më vonë gjykatën, si të njëanshëm dhe antikosovar.

Analisti politik Daniel Serwer së fundmi shkroi për thashethemet se “amerikanët i kanë premtuar Hashim Thaçit mbrojtje nga ndjekja penale”. Serwer pretendon se kryeprokurori i Hagës është “një amerikan që e ka emëruar administrata e Trump” dhe për këtë arsye “nuk është e vështirë të imagjinohet se ai mund të udhëzohet se kë të akuzojë dhe kë jo”.

Ai gjithashtu argumentoi se kjo mund të jetë një arsye pse SHBA-ja mbështeti votimin e mosbesimit që rrëzoi Kurtin – sepse kjo e vendos përsëri Thaçin në vendin e parë dhe shton mundësinë që ai të përfundojë një marrëveshje paqeje Kosovë-Serbi, të cilën Shtëpia e Bardhë dëshiron ta sigurojë sa më shpejt.

Megjithatë, kryeprokurori i Hagës, Jack Smith, edhe pse i emëruar nga Trump, në mesin e komunitetit juridik shihet si një profesionist i pavarur me të dhëna të mira në drejtimin e hetimeve politike komplekse për korrupsionin, si dhe për krime lufte.

Smith ka punuar si shef i Seksionit të Integritetit Publik të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, duke mbikëqyrur raste gjyqësore komplekse për korrupsion publik në të gjithë SHBA-në dhe para kësaj ka shërbyer si koordinator hetimi në zyrën e prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Në Zyrën e Prokurorit të Specializuar punojnë gjithashtu prokurorë të tjerë të profilit të lartë, të tillë si Alex Whiting, i cili drejton njësinë e hetimit. Whiting është një prokuror me nënshtetësi franceze dhe amerikane dhe ka përvojë të gjerë në ndjekjet penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar, duke edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ku ai është marrë me çështjet e Kosovës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar pavarësinë e saj në disa raste dhe deri më tani ka arritur të sigurojë që të mos ketë rrjedhje informacioni në lidhje me ndjekjen e mundshme penale të ish-guerilëve të UÇK-së.

Pasi paraqiti aktakuza në fillim të këtij viti, dhoma e procedurës paraprake ka kohë deri në mes të korrikut që të konfirmojë ose të refuzojë akuzat ose të kërkojë informacione shtesë. Ajo këmbëngul se gjyqtari i procedurës paraprake po vazhdon të punojë pavarësisht shpërthimit të COVID-19.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë ndërmarrë masa për t’iu përgjigjur situatës në përputhje me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik, duke ruajtur gjithashtu vazhdimësinë e punës dhe funksionimin e plotë të tyre. Këto masa përfshijnë punën në distancë dhe takim kur është e mundur”, tha gjykata për BIRN.

Kosovën e pret një ardhme e pasigurt

Por disa vëzhgues me përvojë në Kosovë besojnë se shpallja e aktakuzave nga Dhomat e Specializuara mund të vonohet.

“Si rezultat i kësaj urgjence pandemike, nuk po dëgjojmë shumë publikisht për aktivitetet e tyre, përveçse që një nga gjyqtarët që është pjesë e Dhomave të Specializuara ka dhënë dorëheqjen javën e fundit për arsye personale”, tha për BIRN Gëzim Visoka, profesor i asociuar i studimeve të paqes dhe konfliktit në Universitetin e Dublinit.

“Sa i përket situatës në Kosovë, koronavirusi dhe përpjekja për të rrëzuar qeverinë në detyrë me siguri kanë rrëmbyer gjithë vëmendjen e palëve të interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare në Kosovë, dhe kështu mund të supozojmë se mund të mos dëgjojmë shumë lajme nga Dhomat e Specializuara në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha Visoka.

Megjithatë, ai tha se në Kosovë nuk ka pasur ndonjë spekulim publik deri më tani që e lidh largimin e administratës Kurti me aktivitetet e Dhomave të Specializuara.

Të gjithë sytë tani janë te zhvillimet politike në Prishtinë, brenda dhe jashtë Kosovës. Njerëzit në kryeqytetin e Kosovës kanë protestuar nga ballkonet e tyre çdo mbrëmje, duke u bërë thirrje politikanëve të tyre që të sillen më me përgjegjësi gjatë krizës së koronavirusit, ndërsa mocioni i mosbesimit ka ndarë SHBA-në, e cila e mbështeti atë, dhe BE-në, e cila ishte kundër.

Nga Berlini, politikanët e Kosovës morën një mesazh të qartë se vendi është përsëri në një krizë serioze.

“Prioriteti duhet të jetë lufta vendimtare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të forcohet më në fund ekonomia e vendit dhe të përmirësohet situata sociale”, tha Peter Beyer, koordinator transatlantik i qeverisë federale gjermane, të enjten.

“Kjo gjithashtu duhet të përfshijë vazhdimin e hetimit të krimeve të luftës, pa të cilat nuk mund të krijohet paqe dhe besim. Në veçanti, kjo përfshin institucionet përgjegjëse për ndjekjen penale të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”, shtoi ai.

Gjatë tre muajve të ardhshëm, në Kosovë mund të shpalosen skenarë të ndryshëm politikë, duke filluar nga një qeveri e re e udhëhequr nga partia e Kurtit deri te një administratë pa e përfshirë atë – apo edhe zgjedhje të reja të përgjithshme.

Lulzim Peci, drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, tha për BIRN se zgjidhja e rrugës aktuale pa krye “kërkon konsultime politike dhe marrëveshje”.

Peci beson se kriza aktuale nuk do të zgjidhet shpejt dhe “mund të zgjasë më shumë se situata e emergjencës me COVID-19″.

Ka gjithashtu shumë pyetje se si do të bashkëpunojnë autoritetet e Kosovës nëse kërkohen arrestime të të paditurve nga Dhomat e Specializuara.

Sipas koordinatorit të Dhomave të Specializuara Michael Doyle, “bashkëpunimi i përgjithshëm midis Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Kosovës ka qenë dhe do të jetë në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Autoritetet në Kosovë kanë një detyrim ligjor të bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

Por mbetet të shihet se çfarë do të ndodhte në lidhje me arrestimet e ish-zyrtarëve të U KK-së nëse Thaçi, si president dhe komandant i përgjithshëm, kontrollon shërbimet e sigurisë në Kosovë dhe kriza politike mbetet e pazgjidhu

Por mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhte në lidhje me arrestimet e ish-zyrtarëve të UÇK-së nëse Thaçi, si president dhe komandant i përgjithshëm, kontrollon shërbimet e sigurisë në Kosovë dhe kriza politike mbetet e pazgjidhur.

Sipas ligjit që themeloi Dhomat e Specializuara, prokuroria ka gjithashtu policinë e saj. Ligji thotë se “policia brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të ketë autorizimin dhe përgjegjësinë për të ushtruar kompetencat që i janë dhënë Policisë së Kosovës sipas ligjit të Kosovës”.

Megjithatë, në praktikë, nuk është e qartë se si do të zhvillohej një skenar arrestimi.

Zyra e Prokurorit të Specializuarvazhdon të heshtë në lidhje me këtë: “Ne nuk jemi në gjendje të komentojmë për çështje operative”, tha ajo.

Përshtati: Lindita KOKOLI, Koha Jonë

Burimi: https://www.eurasiareview.com/28032020-kosovos-ousted-government-secret-deals-and-war-crimes-charges-analysis/

SHKARKO APP