Qeveria: E vërteta për udhëtimet e Ahmetajt

Në një dalje për media, sot deputeti i Partisë Demokratike Sherefedin Shehu i ka konsideruar të paprecedentë dhe të dyshimtë udhëtimet e ministrit Arben Ahmetaj. Sipas tij, ministri Ahmetaj duhet t’i  tregojë publikut destinacionet ku ka shkuar, arsyen si dhe kush i ka paguar udhëtimet, duke qenë se një udhëtim me fluturim të posaçëm kushton të paktën 40 mijë euro.

Në përgjigje të akuzave të opozitës për udhëtimet me fluturim të posaçëm të bëra nga ministri Arben Ahmetaj, Kryeministria sqaroi sot se bëhet fjalë për udhëtime të delegacioneve zyrtare dhe jo udhëtime personale të ministrit.

Sqarimi i Kryeministrisë:

Udhëtimi me fluturim të posaçëm është një praktikë e cila është kryer vazhdimisht nga zyrtarët e lartë të shtetit. Madje nëse do ti referohemi qeverisjes së kaluar, vetëm për periudhën 2011-2012, ish-Kryeministri Sali Berisha e ka ushtruar këtë praktikë 12 herë. Pra kjo është një praktikë normale pasi bëhet fjalë vetëm për vizita pune apo pjesëmarrje në delegacionet zyrtare.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në asnjë prej rasteve të paraqitura nga Partia Demokratike ministri Ahmetaj nuk ka udhëtuar nëpërmjet fluturimit të posaçëm për arsye personale, pasi në një pjesë të mirë të tyre ka qenë anëtar i delegacionit të Kryeministrit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjithashtu, për vizitat e kryera në vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, etj. është e njohur praktika e vendosjes në dispozicion të një fluturimi të posaçëm, shpenzimet e të cilit mbulohen nga pala pritëse. Kjo praktikë, jo vetëm që nuk kushton asnjë lek, por i kursen buxhetit të shtetit shpenzimet e biletave të udhëtimit, të cilat do të paguheshin nga vetë anëtarët e delegacionit.

Ndërkohë në disa raste të veçanta, si për shembull vizita e Kryeministrit në Serbi e cila u krye me fluturim të posaçëm, secili anëtar i delegacionit (politikan, sipërmarrës apo gazetar), paguan biletën e avionit sipas çmimit përkatës. E njëjta procedurë është ndjekur edhe ne rastin e vizitës në Republikën Çeke, ku përveçse takimit me zyrtarët e shtetit pritës, qëllimi i udhëtimit ka qenë edhe një forum biznesi. Në këtë rast ka qenë dhoma e tregtisë e cila ka kontraktuar fluturimin e posaçëm dhe të gjithë anëtarët e qeverisë kanë paguar biletën e tyre.

Deklarata e deputetit Sherefedin Shehu

 Arben Ahmetaj pranoi dje se ka bërë dhjetra fluturime çarter, avionë të vënë ekskluzivisht në dispozicion për të. Ja ku i keni të dhënat në ekran. Fotokopja e pasaportës, numrat e tij personal dhe numri i udhëtimeve me çarter. Kështu, rasti i Arben Ahmetajt është një rast i paprecedent ku një ministër shqiptar bën udhëtime të tilla të dyshimta, në fshehtësi, me luks marramendës.

Ky abuzim i Ahmetajt është unik, i pahasur më parë as për krerët e shtetit dhe jo më për ministra. Një fluturim çarter kushton të paktën 40 mijë euro, dhe me shëtitjet e tij prej sheiku, Ahmetaj ka shpenzuar qindra mijë euro. Ky është një rast flagrant abuzimi dhe korrupsioni, dhe Arben Ahmetaj e ka për detyrë të tregojë ku ka shkuar, për çfarë, dhe kush ia ka paguar udhëtimet.

Cili koncesion është dhënë, ose cila pasuri e vendit është falur pas këtyre fluturimeve çarter të Ahmetajt. A kanë lidhje këto çartera me landfillin e Elbasanit, me aferën Skavica apo me koncesionin e TVSH-së? Ky eshte model dhe korrupsion i përmasave të republikave të dështuara afrikane.

Arben Ahmetaj i zhytur në disa skandale përpara fluturimeve me çarter, duhet të hetohet e të shkojë para drejtësisë, dhe nuk duhet lejuar që të marrë një detyrë të re të rëndësishme si ajo e Ministrit të Financave. Asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë Ministër të Financave një hajdut të këtyre përmasave, prandaj kërkohet që më pare ai duhet të japë llogari për pazaret e tij.

Emërimi i tij si Ministër i Financave është një sulm, një ofensivë e re, më e babëzitura që Edi Rama ka shpallur ndaj financave publike për t’i zhvatur me një dorë akoma më të rëndë se ajo e Canit. Emërimi i Arben Ahmetajt është reduktimi brutal, pa doreza, i qeverisjes në një punë të vetme: të bëjnë para.

Emërimi i Arben Ahmetajt është lufta e re, më e zeza, që Edi Rama u shpall zgjedhjeve të lira, sepse kërkon t’i vendosë që tani në rrethimin e parave të pista. Emërimi i Arben Ahmetajt është lufta e re që Edi Rama i shpall opozitës, Partisë Demokratike dhe gjithë shqiptarëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?