Qeveria hesht, shpërthejnë socialistët, Shamku: Kotzias, ke folur si naçu

Kërcënimi i kreut të diplomacisë greke Nikos Kotzias për të ardhmen e Shqipërisë në Unionin Europian ka krijuar pështjellim në radhët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Kështu, reagimeve të forta të socialistëve Erjon Braçe dhe Parid Cara tashmë i shtohet edhe ajo e deputetes Ledi Shamku. Por ajo që bie në sy është fakti se ndërsa deputetët socialistë e dënojnë me forcë deklaratën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, askush nga qeveria, deri më tani nuk ka mbajtur një qëndrim lidhur me këto kërcënime të hapura të Nikos Kotzias, qoftë nga vetë Kryeministri Edi Rama, ashtu dhe nga ministri Ditmir Bushati.

Përmes faqes së saj zyrtare në rrjetin social “Facebook” Shamku deklaron se gjuha e përdorur nga Kotzias ndaj Shqipërisë ishte një gjuhë tejet e ulët, të cilën Shamku e cilëson si zhargon rruge, dhe që s’ka asnjë lidhje me gjuhën diplomatike që ai duhet të përdorë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Reagimi i deputetes Ledi Shamku

Swiss Digital Mobile Reklama

Kotzias, ke folur me gjuhë naçush!

Nuk kam asgjë as kundër “naçuve” as kundër zhargonit të tyre. Aq më pak kundër zhargonit të cilin shpesh e studioj me qejf, për të parë si identifikohen në grup naçut me njëri-tjetrin përmes gjuhës. Pra e njoh.

Dhe sapo dëgjova deklaratën (qesharake le të themi) të Ministrit të Jashtëm grek Kotzias, më kapi gazi. Kishte folur me gjuhë naçush, madje naçush adoleshentë, të cilëve sapo ka nisur t’u dirsë mustaqja, t’u trashet pak zëri e t’u plasë aty-këtu ndonjë akne puerile. Dhe këta naçu adoleshentë, për të treguar forcën, thonë fillimisht: “Hej, hec ta folim iher se ti e di, babi im e rref babin tat!”. Fillimisht kjo, se pastaj më vonë, kur naçut bëhen mustaqellinj, masin forcën e vet e jo më atë të “plakut”.

E tillë ishte edhe deklarata e Kotzias: “Greqia ka buxhet, ka njerëz, ka ushtri më të madhe, ju ka në dorë emigrantët, pra babi grek versus babit shqiptar; prandaj hec ta folim ndryshe për çështjen çame”.

I habitshmi Ministër, sa m’ke bo me qesh! – po ta kthej edhe unë me zhargon se ndoshta kët e kupton më mirë mqs e përdorke më shlirë (në vend të ligjërimit zyrtar diplomatik). Po t’kujtoj së pari që kur dy vendet janë anëtare të NATO-s, gjuha e naçuve s’të pi ujë mor mik! Madje babi yt, po ta dojë vërtet të mirën ty, të merr tani mënjanë e të thotë: “Ça bo or çun se na flliqe!”. Madje po i sugjeroj babit tat të ta thotë Çamërisht, se ndoshta e kupton më mirë! Në greqisht, një këshillë e tillë s’dij sa do të të hynte në vesh!

Të fala nga Babi-dheu im, Shqipëria, zoti Ministër! Kur të vish herës tjetër, mund të të bëj dhuratë ca leksione regjistrash gjuhësore. Leksionet e Diplomacisë do të të duhen ca më vonë, si të kesh kuptuar më parë këto të thjeshtat punë të gjuhës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?