Qeveria miraton projektbuxhetin, ministri Mete: Brenda 2024 paga mesatare 900 euro
Këtë pasdite qeveria ”Rama 3” ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2024. Në një dalje për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Financave, Ervin Mete prezantoi projektbuxhetin, ku tha se 39 mld lekë do shkojnë për rritjen e pagave, me synimin që brenda vitit 2024 të arrihet qëllimi për pagën mesatare 900 euro.
”Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit. Projektbuxheti vijon të financojë procesin e rindërtimit, në vijim edhe të mbështetjes së dhënë përmes Aktit Normativ. Respektohet niveli i kërkuar lidhur me angazhimet e anëtarësimit në NATO, me 2% të PBB-së në vitin 2024 dhe kjo arrihet për herë të parë. Rritet ndjeshëm buxheti në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qëndrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë”,-tha ministri Mete.
Pyetje: Në projektbuxhet a keni lënë hapësira për të emëtuar një Eurobond tjetër?
Përgjigje: Nevoja për financim dhe rifinancim të borxhit publik është. E rëndësishme është që borxhi publik projektohet të jetë rreth 60% në fund të vitit që është një kufi që nëse do vazhdojë të zbresë edhe më poshtë na çon ne në grupin e vendeve me financa publike më të forta.
Pyetje: Sa koncesione do financohet në pr buxhetin e vitit 2024?
Përgjigje: Relacioni i buxhetit do të përmbajë një analizë të detajuar të të gjitha kontratave. Ne po punojmë edhe me BB dhe FMN që të hartojmë një listë dhe analizë të rreziqeve të paraqiten në këtë drejtim. Që të kemi ndryshime ligjore pë të pasur një strukturë më solide.
Pyetje: A keni caktuar fond në grupin e emergjencës për të pasur mbështetje ekstra për familjet në nevojë në rast se kemi rritje të inflacionit?
Përgjigje: Sa i përket mbrojtjes sociale 1/3 e buxhetit shkon për mbrojtje sociale. Besojmë që kemi një pjesë të financuar dhe të pasur në vëmendje nga buxheti.