Qeveria nis zëvendësimin e ambasadorëve, emrat e rinj janë ish-deputetë të PS-së
Qeveria ka nisur procesin e zëvendësimit të disa ambasadorëve të cilëve u ka mbaruar mandati, apo janë drejt daljes në pension. Qeveria shqiptare i nis këto ndryshime të ambasadorëve të cilat duhet të ishin bërë shumë kohë më parë, por të qenurit e Ilir Metës president, shikohej si një mur pengese për emërimet e reja. Ky proces fillon tashmë që Bajram Begaj është kreu i shtetit.
Top Channel mëson se në presidencë gjatë kësaj jave pritet të mbërrijë, lista me propozimet e grupit të parë të ambasadorëve të rinj. Një prej deputetëve anëtarë i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme në dijeni të propozimeve tregoi për gazetarin Muhamed Veliu se Ilir Gjoni aktualisht ambasador në Zvicër propozohet të shkojë ambasador në NATO pas daljes në pension të ambasadorit aktual Visho Ajazi Lika.
Vendin e Gjonit propozohet ta zërë analisti, Mustafa Nano i cili me parë ka qenë pjesë e shërbimit diplomatik. Vendin e lënë bosh të ambasadorit në Emiratet e Bashkuara nga Ermal Dredha i cili kandidoi dhe fitoi si krye-bashkiak i Vlorës, propozohet për t’u zëvendësuar nga Ridi Kurtezi aktualisht ambasador në Malin e Zi.
Ambasadorja e Shqipërisë në Holandë Adia Sakiqi, pritet te emërohet ambasadore në një tjetër shtet në BE. Ish nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi është përzgjedhur për drejtuar Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Ndërsa diplomacinë shqiptare në kryeqytetin e Austrisë, Vienë pritet ta drejtojë ish deputeti socialist Fate Velaj.
Ervin Bushati ish-deputet dhe ish-drejtues i PS Tiranë, është favorit për të zëvendësuar ambasadoren Floreta Faber në SHBA. Mbetet e paqartë nëse emri i tij është në listën e parë që pritet të mbërrijë në presidencë. Procesi emërimit të ambasadorëve të rinj nis me propozimet e Ministrisë të Europës dhe Punëve të Jashtme, të cilat marrin aprovimit të kryeministrit i cili ia dërgon presidentit.
Pas miratimit nga presidenti të gjithë të propozuarit për ambasador zhvillojnë dëgjesa në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme. Pas miratimit nga ky komision, i vjen radha dekretimit nga presidenti Bajram Begaj. /Top Channel/