”Qeveria po bën një rritje historike pagash”, Rama: Konkurrencë më e madhe për forca të reja pune

Pasi prezantoi rritjen e pagave për disa sektorë, kryeministri Edi Rama i bëri sërish thirrje sot sektorit privat që të investojë në kapitalin njerëzor duke rritur pagat. Rama tha se qeveria po bën një rritje historike pagash që nuk ka ndodhur kurrë, duke çuar pagën mesatare në Shqipëri në 900 euro, çka është thuajse dyfishimi i pagës mesatare.

”Sektori privat ka filluar të reagojë, por jo sa duhet dhe jo si duhet ndërkohë që koha vrapon me shumë shpejtësi në këtë drejtim. Ata njerëz që ju i keni trajnuar, që i keni stërvitur, që i keni mësuar, mos i merrni për të sigurt që do t’i keni aty çdo mëngjes kur të shkoni në punë nëse nuk do t’i paguani si duhet dhe problemi është se, ju e dini më mirë se unë, kur të ikën një nga ata është njësoj sikur të këputet një krah, por në atë moment është vonë. Koha kur njerëzit mund të punonin këtu me ato paga, të cilat janë paguar deri tani ka ikur. Duhen paga më të larta dhe duhet një sakrificë e re”, tha ai.

Nga ana tjetër, Edi Rama tha se me një hap të tillë sipërmarrja fiton sigurinë e forcave të punës dhe pastaj duke zhvilluar më tutje ndërmarrjen, kapacitetet teknologjike e të tjerë mund të hyjë në një cikël të ri fitimi.

“Nuk ke shans t’i mbijetosh të nesërmes, nëse sot të lënë pushkën në faqe luftëtarët me të cilët ti e bën betejën çdo ditë. Ne do të marrim disa masa dhe duhet ta dini sot që do ta konsultojmë, do ta shohim, por sikundër ne do të ndalojmë pjesëmarrjen ose aksesin në fonde publike për ndërtim, do të ndalojmë dhënien e lejeve të ndërtimit për kompani që nuk i paguajnë punëtorët në mënyrë dinjitoze dhe natyrisht kjo mënyra dinjitoze është diçka që nuk e vendosim ne, është diçka që e vendos tregu, e vendos logjika e tregut dhe e vendos dhe një gjë tjetër, domosdoshmëria për t’i dhënë fund mashtrimit me pagat që një pjesë e pagës i jepet me bankë, një pjesë i jepet nën dorë e të tjerë”, tha ai.

Kryeministri Rama theksoi ndër të tjera edhe se qeveria nuk mund t’i detyrojë dot kompanitë të vendosë paga të caktuara, sepse jemi në një sistem që funksionon sipas lirisë të secilit.

SHKARKO APP