Qeveria “Rama” nën hetim nga OKB për ekstradimin e shtetasve turq

Organizata e Kombeve të Bashkuara po heton qeverinë shqiptare për arrestimet dhe ekstradime të dyshuara të paligjshme ndaj shtetasve turq Çelik e Simsek.

Ekstradimi surprizë me aksion policor të beftë në orët e para të 1 janarit u kritikua nga PD si dhe nga Brukseli. Po kështu ndalimi i turkut Selami Simsek ngjalli dyshime se mund të përsëritej ekstradimi i paligjshëm.

Me anë të një komunikimi zyrtar përcjellë qeverisë shqiptare më 20 mars 2020 nga Grupi i Punës i OKB-së kundër Zhdukjeve me Forcë, Grupi i Punës mbi Ndalimet Arbitrare, Raportuesi i Posaçëm për të Drejtat e Migrantëve, Raportuesi i Posaçëm mbi Nxitjen dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Raportuesi i Posaçëm kundër Torturës – këto organe të rëndësishme për të drejtat e njeriut të OKB-së kërkojnë urgjentisht informacion mbi zhdukjen me forcë dhe dëbimin e Harun Çelik në Turqi më 1 janar 2020 dhe rrezikun që ekziston për zhdukjen e Selami Şimşek dhe dëbimin e tij të paligjshëm drejt Turqisë.

Qeveria Rama ende nuk është pergjigjur. Ministri i Brendshem Lleshaj ka justifikuar veprimet dhe procedurat e ndjekura nga policia. Qeveria Erdogan ka trysnuar shtetet e Ballkanit për të dorëzuar policisë turke aktivistët gulenistë edhe kur ky veprim shkel ligjet shtetërore e ndërkombëtare.

Në komunikimin e tyre për qeverinë shqiptare, grupet e punës dhe raportuesit e mësipërm kërkojnë nga qeveria shqiptare informacion dhe sqarime të detajuara si më poshtë:

1. Informacion shtesë dhe çdo koment mbi akuzat për zhdukjen me forcë dhe shkeljet e rënda të të drejtave të shtetasve turq.

2. Informacion mbi vendndodhjen aktuale dhe gjendjen shëndetësore të z. Şimşek, si dhe masat e marra nga qeveria për t’i siguruar atij akses të shpejtë dhe sistematik me përfaqësuesin e tij ligjor.

3. Informacion mbi statusin aktual të procesit të aplikimit të z. Şimşek për azil politik dhe mbrojtje ndërkombëtare.
4. Informacion mbi bazën faktike dhe ligjore për dëbimin e z. Çelik në Turqi, përfshi një sqarim të detajuar sesi kjo masë (dëbimi i z. Çelik) është në pajtueshmëri me detyrimet që rrjedhin nga konventat e ratifikuara nga Shqipëria (Konventa kundër Torturës, Konventa mbi Statusin e Refugjatëve, Konventa mbi Zhdukjet me Forcë).

5. Informacion mbi bazën faktike dhe ligjore (masat në kuadër të sigurisë kombëtare, apo masa të tjera) që është përdorur për të justifikuar dëbimin në Turqi të personave të akuzuar për simpati ndaj lëvizjes Hizmet/Gulen që kërkojnë azil në Shqipëri.

6. Informacion të detajuar mbi mënyrën e vlerësimit gjithëpërfshirës dhe individual të rrezikut nga autoritetet shqiptare (në kuadër të masave procedural dhe analizës së situatës në vendin e kthimit), për të siguruar që të drejtat themelore të këtyre individëve të mos shkelen, në procesin e kthimit dhe në vendin ku ata kthehen.

7. A i janë kërkuar qeverisë së Turqisë nga qeveria e Shqipërisë, garanci me shkrim që të drejtat e personave e kërkuar nga Turqia në rast kthimi nuk do të shkelen, përfshi të drejtën e lirisë, të sigurisë personale dhe të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor, në rast se akuzohen për kryerjen e ndonjë vepre penale? Dëshmi nga qeveria shqiptare që garanci të tilla janë kërkuar dhe janë marrë.

8. Informacion mbi garancitë që ekzistojnë dhe masat e marra për t’i zbatuar këto garanci, me qëllim shmangjen e deportimeve apo kthimin me forcë nga Shqipëria drejt vendeve ku liria, siguria personale, integriteti apo jeta e çdo individi në një situatë të ngjashme.

 

SHKARKO APP