“Qeveria rrumpallë”. Dy deklaratat kontradiktore të “shejtanit”, gazetari i nxjerr bojën
Disa ditë më parë, në shoqërinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Rama vizitoi fshatin Dedej të Vorës, për të parë nga afër ecurinë e punimeve në një banesë.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët, kreu i qeverisë nuk i kurseu batutat, as për ministren Balluku, që me humor e quajti “shejtani më i madh”.
Por, ndërkohë sot gazetari Klodian Tomorri ka zbuluar dy deklarata kontradiktore të të ashtuquajturës “shejtani i madh” i qeverisë së Ramës.
Në një postim në rrjetet sociale, Tomorri shkruan se Në gusht të këtij viti qeveria shqiptare miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë. Vetëm një muaj më vonë, përmes Urdhrit nr 339, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë miratoi kapacitetet e reja të energjisë diellore.
Ndërkohë, sipas Tomorrit, rreth tre muaj më vonë, është po kjo Ministre, Belinda Balluku, e cila deklaron se mbështetja shtetërore për impiantet e vegjël që prodhojnë energji nga dielli është një abuzim.
Gazetari thekson se kjo histori është ilustrimi më i mirë se si po qeveriset Shqipëria sot.
“Në gusht të këtij viti qeveria shqiptare miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë. Vetëm një muaj më vonë, përmes Urdhrit nr 339, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë miratoi kapacitetet e reja të energjisë diellore.
Sipas urdhrit, në dy vitet e ardhshme qeveria do të jepte leje për ndërtimin e impianteve fotovoltaike me kapacitet total të instaluar 490 MegaËat. Nga këto 290 mega do të ishin energji e prodhuar nga impiantet e vogla, të cilën shteti e ble me çmimin stratosferik 100 euro për megavat, ndërsa pjesa tjetër ishin përcaktuar si impiante të mëdha, të cilat nuk kërkojnë subvencion nga shteti, por e shesin energjinë në treg të lirë.
Por qeveria shqiptare tani është një makinë pa frena dhe pa timon, që ecën kuturu. Një ditë më parë, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se mbështetja shtetërore për impiantet e vegjël që prodhojnë energji nga dielli është një abuzim. Tani çështja është cilën prej ministreve të energjisë të besojmë. Atë që tre muaj më parë miratoi 490 megavat kapacitete të reja për energjinë diellore apo ministren që tre muaj më vonë thotë se kjo skemë është një abuzim i madh? Cila prej tyre gënjen?
Kjo histori është ilustrimi më i mirë se si po qeveriset Shqipëria sot. Ky duhet të jetë rasti i parë në botë, kur brenda tre muajve një qeveri ndryshon rrënjësisht një strategji kombëtare. Arsyet për këtë rekord botëror mund të jenë vetëm dy. E para është paaftësia, ndërsa e dyta vendimarrja në funksion të interesave të ngushta momentale.”-shkruan ndër të tjera Klodian Tomorri.
Por, më tej Tomorri shkruan se kaosi me strategjinë kombëtare të energjisë nuk mbaron këtu.
Po një ditë më parë, sipas tij, ministrja e Energjisë deklaroi se tani qeveria do të subvencionojë depozitat e energjisë me qëllim uljen e importit.
“Rrumpalla vazhdon. Së pari depozitimi i energjisë elektrike ka kosto të lartë. Nuk është çudi që pas këtij plani të ketë një koncesion të ri, ku qeveria do të subvencionojë privatët me para nga buxheti për të depozituar energjinë.
Por përtej dyshimeve mbi leverdishmërinë financiare, ka dhe një pikëpytje tjetër. Që të depozitosh energji duhet të prodhosh. Nëse qeveria nuk nxit ndërtimin e burimeve të reja të energjisë, atëherë e gjitha skema e depozitimit do të jetë thjesht një mënyrë për të transferuar para nga buxheti në llogari private.
Energjia është një nga sektorët më kyç të ekonomisë. Por nëse strategjitë për zhvillimin e sektorit ndryshohen një herë në tre muaj, sipas interesave të momentit, atëherë shqiptarët do ta paguajë shtrenjtë. Dhe pasojat e para kanë filluar të ndihen. Sipas Sekretariatit të Energjisë, këtë vit Shqipëria ishte vendi i vetëm në rajon që bëri hapa pas në reformat e sistemit energjetik duke konsoliduar monopolet dhe duke penguar ndërtimin e burimeve të reja të energjisë.”-përfundon postimin e tij gazetari Tomorri./ CNA.al