Qeverisja 10 vjeçare e PS, Ndreu: Politika ta lërë policinë të punojë
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu duke analizuar qeverisjen 10 vjeçare të Partisë Socialiste, tha se nuk mund të pritet perfeksioni, por theksoi se niveli i jetesës në vend është shumë më i mirë se një dekadë më parë.
Duke folur për këndvështrimin e tij mbi fusha ku mund të ketë përmiësim, ai tha se duhet të punohet më me kujdes me policinë edhe rendin publik. Për të policia s’ka investimet e duhura në nivelin teknik për të garantuar nivelin maksimal.
“Personalisht do kisha pretenduar që me rendin të ishte punuar më me kujdes. Politika duhet të kuptojë se tensioni mes nivelit politik dhe teknik në policinë e shtetit ka ekzsituar historikisht. Të gjesh formulën të dalësh nga ky batak duhet që politika të përgjigjet për investimet në polici, për krijimin e kushteve logjistike etj. T’i japë objektivat dhe ta lërë të punojë”-tha kryebashkiaku për ”Report Tv”.
Ai shtoi se duhet që elita e policisë të ketë më shumë zë dhe të dëgjohet nga politika e vendit, e cila sipas tij duhet të mos ndërhyjë në punën e efektivëve.