QR-Kode e fletës të votimit tregon për kë kemi votuar? Kreu i KQZ: Zero shance

Avokati Adriatik Lapaj, disa ditë më parë u shpreh se ka një mënyrë sesi identifikohen zgjedhësit dhe për kë kanë votuar ata, ç’ka për të do të thotë se zgjedhjet nuk ishin të fshehta. Sipas tij, kjo lidhet me QR-KOD identifikimi që ka pasur çdo fletë votimi. Por sot, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka kthyer një përgjigje të gjatë kësaj akuze.

Ai thotë se është e vërtetë që QR-Kode është i veçantë për çdo fletë votimi. ”Duke qenë unike, e personalizuar fleta e votimit nuk ka asnjë mundësi që dikush tjetër (i paautorizuar nga KQZ) të jetë “prodhues” i saj. Pra, në kutitë e votimit të jenë vetëm fletët e votimit që janë prodhuar nga KQZ. Ndaj bëhet personalizimi dhe sekretimi i tyre edhe nëpermjet vendosjes së QR-Kod”,-tha Celibashi.

Nga ana tjetër, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, shprehet se është qartë që në kushtet e zgjedhjes rastësore të bllokut të fletëve të votimit, të dhënies së fletës së votimit të marrë rastësisht nga grumbulli i fletëve të votimit, shkëputur nga blloku, ka zero shans, që të dimë se cilën fletë në radhën e gjithë fletëve ka marrë një votues i caktuar.

Postimi i plotë

Duke e falenderuar Adriatik Lapaj për pyetjen e ngritur dhe duke marrë në konsideratë interesin e opinionit publik sqaroj se: Ka ZERO mundësi që ne (kushdo) të marrim dijeni mbi mënyrën e votimit të një votuesi duke lidhur radhën e votimit të tij me leximin e QR-Kode të fletës së votimit (që ky votues ka marrë dhe e ka hedhur në kutin e votimit). Është e vërtetë që QR-Kode është i veçantë për çdo fletë votimi. Kjo bëhet me qëllim që çdo fletë votimi të jetë unike.

Duke qenë unike, e personalizuar fleta e votimit nuk ka asnjë mundësi që dikush tjetër (i paautorizuar nga KQZ) të jetë “prodhues” i saj. Pra, në kutitë e votimit të jenë vetëm fletët e votimit që janë prodhuar nga KQZ. Ndaj bëhet personalizimi dhe sekretimi i tyre edhe nëpermjet vendosjes së QR-Kod.

Nëse ne dimë (i) radhën e votimit të një votuesi dhe dimë se (ii) cilën nga fletët e votimit ai ka marrë, atëherë po ne kemi mundësi të dimë se cila ka qënë vota i tij. Pra, duhet të plotësohen patjetër këto dy kushte që ne të kemi mundësi të marrim dijeni për kë ka votuar votuesi në fjalë. Ne nuk e dimë kurrësesi dhe nuk nuk kemi mundësi ta dimë se cilën fletë votimit (me cilin QR-Kod) ka marrë votuesi, (apo votuesit) edhe nëse ne dimë radhën e votimit të zgjedhësit. Dhe dijenia për radhën është më e mundur nga vetë anëtarët e komisioneve dhe/ose vëzhguesit në qendrën e votimit se sa nga Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI). Nëse flasim për PEI, ajo nuk shënon radhën e votimit.

Ndaj për të plotësuar kushtin e parë atë të dijenisë së radhës së votimit të një votuesi nuk “na duhet” PEI. Kjo do të thotë se është pa vend shqetësimi për identifikimin e votës për shkak të përdorimit të PEI. Nga ana tjetër është e pamundur që të kemi plotësimin edhe të kushtit të dytë. Atij të identifikimit të fletës së votimit që i jepet votuesit radhën e të cilit presupozojmë se dimë. Fletët e votimit janë të prodhura në blloqe të ndarë nga njëri-tjetri, të gjithë të njëjtë në sasi dhe në mënyrë paketimi. Në momentin e fillimit të votimit Komisioni i Qendrës së Votimit merr rastësisht njërin nga blloqet me fletë votimi. Nuk ka radhë në zgjedhjen e bllokut të fletëve të votimit.

Është qartë që në kushtet e zgjedhjes rastësore të bllokut të fletëve të votimit, të dhënies së fletës së votimit të marrë rastësisht nga grumbulli i fletëve të votimit, shkëputur nga blloku, ka ZERO shans, që të dimë se cilën fletë në radhën e gjithë fletëve ka marrë një votues i caktuar. Matematikisht, sikur vetëm një herë të prishet radha (nëse për një moment pranojmë që mundet ta gjejmë radhën e fletëve të votimit), atëherë në asnjë mënyrë nuk do të dimë se kë fletë votimi ka marrë kush.

SHKARKO APP