Qytetarët me Covid-19 nuk do të votojnë më 25 prill/Gjosha: Rama si diktator, kërkon të zhduk votën kundër Rilindjes

Deri më tani janë mbi 35 mijë shqiptarë të prekur nga Covid-19, dhe sipas KQZ-së nuk do të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, thotë se e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është një e drejtë themelore e njeriut dhe si e tillë mbrohet jo vetëm nga Kushtetuta, por dhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Teksa akuzon kryeministrin Edi Rama për sjellje diktatoriale, pasi ky i fundit tha dje se personat me Covid-19 nuk do të votojnë, Gjosha shton se misioni i qeverisë është që ta zhdukë votën kundër Rilindjes.

Postimi i plotë

Dje Kryeministri deklaroi se personat me COVID-19 nuk mund të votojnë! Deklaratë e rëndë që shkon në shkelje të lirive themelore të njeriut të shpallura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë! E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është një e drejtë themelore e njeriut dhe si e tillë mbrohet jo vetëm nga Kushtetuta por dhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Per këtë të drejtë ka dhe vendime të GJykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ka argumentuar se është detyrë e shtetit të krijojë mundësinë e pjesëmarrjes së të gjithë qytetarëve në zgjedhje. Sipas parashikimeve ligjore, personave të sëmurë u sigurohet vota në shtëpi apo në spital.

Shembulli i fundit ishin zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ku rreth 140 ekipe të veçanta me mjekë, policë dhe specialistë të zgjedhjeve, mundësuan votën në banesë për të infektuarit me Covid-19 dhe familjarët e tyre.
Të njëjtën gjë si Kosova bëri dhe Maqedonia e Verioriut për zgjedhjet në Korrik të 2020. E vetmja qeveri në Ballkan që nuk arrin jo nivelet europiane por as nivelet minimale të demokracisë të rajonit, është qeveria shqiptare.

Kjo është sjellje tipike diktatoriale dhe që nuk njeh të drejtat themelore të vetë shtetasve të saj, që vjen nga frika e humbjes së zgjedhjeve, pasi të sëmurët me COVID-19 janë ata që e kanë vuajtur më rëndë dështimin e kësaj qeverisje dhe janë votë kundër. Prandaj dhe është mision i qeverisë ta zhdukë këtë votë. Të bashkur nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë këtë akt diktatorial. Të gjithë shtetasit shqiptarë me të drejtë vote do të votojnë në 25 Prill për t’i dhënë fund kësaj keqqeverisje që nuk respekton asnjë të drejtë bazike të qytetarëve të saj!

SHKARKO APP