Qytetarët prej 4 ditësh të bllokuar! Situatë e përkeqësuar në Kakavijë, radhët shkojnë në 25 km!

Situata e rënduar në pikën kufitare të Kakavijës vijon të përkeqësohet, pasi edhe ditën e sotme janë shtuar mjetet që presin të kalojnë kufirin duke e çuar radhën deri në 25 kilometra.

Mësohet se vargu i makinave ka arritur deri në fshatin Grapsh gjatë orëve të natës. Pala greke e ka mbyllur kufirin e saj në orën 22:00, por kjo nuk ka penguar qytetarët t’i drejtohen kufirit për të ikur në territorin grek duke sjellë shtim të makinave që presin për të kaluar dhe përkeqësim të situatës.

Kjo situatë vijon prej 4 ditësh, duke u kthyer në një krizë humanitare, ku qytetarët vijojnë të qëndrojnë në temperatura tepër të larta.

Sipas kufizime të reja që ka vendosur Greqia pjesë e masave për pandeminë, duke filluar nga 16 gushti, në pikët kufitare të Kakavijës nuk do të mund të kalojnë më shumë se 750 persona, ndërsa nga ajo e Kapshticës 300 persona. Nuk dihet ende se si do të veprohet me radhët e qytetarëve që prej ditësh presin të bllokuar në rrugë.

SHKARKO APP