Rai 3 ”zapton” Parlamentin, deputetët e opozitës dhe të PS-së “harrojnë” shqetësimet e qytetarëve

Kjo e hënë në Kuvend duhet që të ishte një seancë që deputetët ti jepnin zë shqetësimeve të qytetarëve. Kreu grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi vendosi në plan të parë jo zgjedhësit e tij por tentoi të amplifikoi debatin mes kryeministrit Edi Rama dhe Rai3.

“Ky Kuvend sot edhe në emër të qytetarëve që përfaqësojmë në këtë sallë, duhet të distancohet nga sjellja e Edi Ramës ndaj medias shtetërore italiane Rai 3, por mbi të gjitha duhet të distancohen nga modeli qeverisës që ka ndërtuar Edi Rama, model që turpëron Shqipërinë. Ky investigim në asnjë rast nuk sulmon Shqipërinë, por nxjerr të vërtetat lidhur me Qeverinë e Edi Ramës, që ka treguar në këto 11 vjet se ka fuqizuar krimin e organizuar dhe dobësuar qytetarin e ndershëm”,-tha Bardhi.

Elisa Spiropali ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, përmes doza të shumta të ironisë e quajti programin Report në RAI3 si një marrëzi e prodhuar në Tiranë me ambalazh italian.

“Hataja ndodhi edhe një herë si përherë. E bleu dhe Rai-n ky diktatori i Tiranës, siç ka blerë Departamentin Amerikan të Shtetit, shtypin suedez. Ky diktator i Tiranës siç ka blerë 9 fitore elektorale dhe do të fitojë edhe tjetrin në prag, që shet Shqipërinë për të blerë vota, që shet edhe thesaret për të blerë ndërkombëtarët mund t’i ketë çuar Rai-t 70 meleon euro, nga ato që kanë tepruar për të blerë Melonin. Nuk ka rëndësi përbaltja e vendit, por shpresa pak nga ajo baltë e Tiranës të tregtohet e paketuar edhe në italisht”, u shpreh Spiropali në foltoren e Kuvendit.

Pavarësisht këtyre debateve, më pas deputetët mundën që të shpalosin shqetësimet e zonave të tyre elektorale, por që askush nuk i dëgjoi, pasi edhe vetë salla ku është seanca plenare u pa pothuajse bosh nga largimet e deputetëve.

SHKARKO APP