Rama: 21 Qershori, mesazh për vazhdimin e reformave

Ndryshe nga ajo çfarë deklaroi Lulzim Basha, për Edi Ramën zgjedhjet e 21 Qershorit, jo vetëm që ishin më të ndershmet, më të lirat dhe më të mirat në historinë e vendit, por ishin edhe një mesazh për mazhorancën, që kryeministri Edi Rama e lexon si mbështetjeje për reformat e nisura nga qeveria.
“Unë personalisht nuk kam dyshuar asnjë ditë për mbështetjen e reformave tona nga qytetarët, por 21 Qershori është një shtysë për të thelluar reformat dhe masat që shoqërojnë ato me vendosmërinë më të madhe”, tha Rama.
Duke u ndalur tek procesi zgjedhor, Rama renditi një sërë problematikash të së shkuarës, që sipas tij, nuk u panë në këto zgjedhje.
“Qeveria bëri që për herë të parë të mos mbyllej asnjë shkollë për të çuar nxënës dhe mësues për të shkuar në mitingun e kryeministrit apo shefit të Kuvendit, për herë të parë të mos ushtrohej presion nga asnjë punonjës i shtetit, të mos implikohej asnjë forcë e ushtrisë për të hedhur çakull elektoral për votat e kandidatëve të pushtetit, të mos sigurohej asnjë mbështetje nga policia për të fortët për vota për llogari të pushtetit, të mos hapeshin dyert e burgjeve për kriminelët me damkë, siç ndodhte deri në 2013”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se nga ky proces Shqipëria ka dalë më e denjë dhe u kërkoi numëruesve që të vazhdojnë procesin sipas ligjit, duke numëruar drejtë çdo votë të shqiptarëve.
“Historia e zgjedhjeve për këshillat bashkiakë ka treguar që është e larmishme. Çdo votë duhet të numërohet saktësisht. Koha kur partive të vogla u merreshin votat nga numëruesit për partitë e mëdha ka marrë fund. Kush gabon dhe e risjell këtë kohë, mos harrojë që ligji e ndëshkon penalisht”, deklaroi Rama.
Zgjedhjet ishin hapi i fundit i lindjes së një Shqipërie të re, me 61 njësi vendore, por edhe të parat ku në këshillat vendore përfaqësua gjinore është e barabartë.
“61 njësi zhvillimi ekonomik, urban dhe social. Kjo është Shqipëria e re, e qytetarëve të barabartë që organizimi nuk i ndan më në qytetarë të kategorisë së parë në qytet, dhe njerëz në fshat. Barazia e plotë gjinore është kthyer në fakt, që krijon premisat e një epoke të re zhvillimi. Jam krenar që ASHE ka bërë të mundura këto dy ndryshime historike pa u mbushur ende 2 vite nga mandati ynë”, tha kryeministri.

SHKARKO APP