Rama: 32 muaj më parë, ekonomia lëkundej në zero
Teksa mori pjesë në një forum për reformën në ekonomi, kryeministri Edi Rama u kujtoi sot qytetarëve se në çfarë situate e gjeti ekonominë e vendit dhe cilat ndryshimet që po ndodhnin .
Në 32 muaj, sipas tij, ka shumë për të thënë për ato që kanë ndodhur dhe ato që do të ndodhin më tej.
“Ne e kemi filluar punën 32 muaj më parë dhe dua t’ju kujtoj që FMN nuk ishte këtu fare. Ishte përzënë pa ceremoni. Dua t’ju kujtoj që Banka Botërore kishte ndaluar çdo lloj vazhdimësie të programeve të veta për shkak të një reforme të kërkuar me këmbëngulje si kusht për të vazhduar programet që ishte reforma e pensioneve.
Dua të kujtoj se ishim në kulmin e një konflikti me kompaninë e shpërndarjes së energjisë si rezultat i një shpronësimi të dhunshëm nga ana e qeverisë së mëparshme. Dua t’ju kujtoj që kishim një bllokim të plotë të kompanive për shkak se nuk paguheshin. Nga ana tjetër, kishim një bllokim të plotë të kredive nga ana e bankave për shkak se marrëdhëniet me kompanitë me borxhe të papaguara e impononin këtë gjë”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë tha se pagesat e borxhit prej 720 milionë dollarë bëri të mundur që të zhbllokonte punën e kompanive që kishin kryer investime publike, çka sipas tij, ka sjellë ngritjen e mundimshme të një situate ku rritja ekonomike ishte zero.
“Rritja ekonomike lëkundej midis zeros dhe njishit, pa llogaritur forcat politike që mundoheshin ta shtynin drejt njishit me shifra të fabrikuara”, shtoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

