Rama: Administrata faktor kyç i integrimit në BE

Modernizimi në vijimësi i administratës publike në Shqipëri, një proces i domosdoshëm dhe i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE), mbetet një ndër prioritet e qeverisë, si një instrument kyç për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit dhe si kusht për proceset integruese të vendit. Kryeministri Edi Rama, i cili ishte pjesë e këtij formati të veçantë organizimi u shpreh në fjalën e tij se sot janë të gjitha arsyet për të besuar se Shqipëria mund të mbështetet tek kjo administratë, dhe se mund t’ja dalë objektivit të anëtarësimit më shpejt se të gjithë të vendet e tjera në rajon, në radhë të parë, falë kësaj administrate.

Fjala e plotë nga kryeministri Edi Rama

Përshëndetje të gjithëve! Besoj që secili prej jush dhe secila prej jush është në të drejtën legjitime të pyesë veten “çne, pse jemi këtu?” në një format që për hir të vërtetës është i pari i këtij lloji në shumë vite dhe përgjigja është shumë e thjeshtë: Sepse jemi në një fazë tjetër të zhvillimit të vendit, jemi në një fazë tjetër të rrugës sonë për t’u bërë pjesë e bashkësisë europiane si anëtarë me të drejta të plota, jemi në një fazë tjetër të një përjekjeje, që pa asnjë dyshim, është historike sepse historike është që më në fund, duke u bërë pjesë e Bashkimit Europian, Shqipëria të konfirmohet si një shtet demokratik, si një shtet me institucione të forta, si një shtet me garanci të plota për lirinë dhe të drejtat e të gjithëve, si një shtet i denjë për gjeneratat e tjera.

Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë më parë mundësinë që ka sot dhe Shqipëria nuk e ka arritur asnjëherë më parë të jetë vendi, ku shteti është ai që u jep të gjithë qytetarëve mundësinë që të bashkëjetojnë në një rend ligjor të sigurt, të mirëqeverisen dhe të gëzojnë lirinë e konkurrencës me të drejtën e meritës.

Sot, Shqipëria jo vetëm e ka këtë mundësi teorike, çka e ka pasur teorikisht qysh se hyri në rrugën e lirisë dhe të kërkimit të bashkimit me familjen europiane, por sot Shqipëria e ka këtë mundësi reale, praktike, konkrete, një mundësi e prekshme me sy sepse horizonti i bashkimit përfundimtar me familjen europiane nuk është më një ëndërr, nuk është më as një iluzion apo thjesht një ambicie, por është një realitet konkret.

Ajo çka lidh këtë parantezë me ju është se për ta realizuar këtë arritje historike, administrata publike është faktori kyç i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm. Nga “sa” dhe “si” administrata publike do të angazhohet në këto vite do të përcaktohet edhe shpejtësia me të cilën Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian, por mbi të gjitha do të përcaktohet edhe cilësia e jetës demokratike, cilësia e institucioneve, cilësia e funksionimit tërësor të shtetit dhe me patjetër edhe cilësia e garancive për çdo individ në këtë vend.

Kjo nuk është një fjalë e bukur. Ky është një fakt. Ky është një fakt që çdokush që hyn çdo mëngjes në derën e administratës publike duhet ta mbajë parasysh sepse nga çdokush prej jush varet një grimcë e tërësisë së punës së jashtëzakonshme, kolosale që duhet të bëjë Shqipëria për t’u ulur në atë tryezë që deri dje ishte krejt e pamundur të imagjinohej, më pas u kthye në një mundësi teorike, ndërsa sot është një mundësi reale.

Është një mundësi reale për ta bërë këtë vend një vend që funksionon me të njëjtat standarde, një vend që funksionon me të njëjtat rrugë dhe mënyra, një vend që funksionon me të njëjtat sjellje ndaj interesave publike dhe private si një vend anëtar i Bashkimit Europian.

Për hir të vërtetës, këtu janë një pjesë besoj e konsiderueshme e atyre që ishin edhe në takimin falënderues që ne bëmë pas përfundimit të procesit të radiografimit të Shqipërisë, i ashtëquajturi procesi screening dhe ata e kanë dëgjuar t’ju them që unë personalisht kam qenë shumë i shqetësuar kur filloi procesi dhe nuk e fsheh dot që nuk e kam besuar që administrata jonë do të mund të nxirrte nga vetja një skuadër kombëtare aq të madhe sepse të pafundme janë pikat mbi të cilat procesi duhet të kalonte dhe do të na zbardhte faqen me superlativa në Bruksel.

Nuk e kam besuar dhe e kam ndarë me zë të ulët edhe me disa prej bashkëpunëtorëve që ky mund të jetë momenti ynë i një sëkëlldie të jashtëzakonshme sepse mund të shfaqemi me dobësira që atje në Bruksel nuk i fsheh dot dhe patjetër që edhe unë personalisht, mesa duket kam rënë pre, në njëfarë mënyre, e një pjese të atij perceptimi të përgjithshëm që administrata publike është një trupë njerëzish parazitë, një trupë njerëzish që marrin rrogat dhe nuk bëjnë asgjë, një trupë njerëzish që i kanë zënë vendin të tjerëve, një trupë njerëzish që janë aty për njëmijë e një arsye, por jo për arsye të meritës.

Pra, sidoqoftë, edhe unë mesa duket kisha ndikimin nga ky perceptim, por fakti që procesi i radiografimit të thellë të Shqipërisë përmes 777prezantimesh të të gjithë organizmit të sistemit shtetëror shqiptar në Bruksel përfundoi me shpejtësi, përfundoi me cilësi dhe përfundoi me aq shumë habi në Bruksel për performancën e skuadrës sonë kombëtare është siguria më e madhe dhe fakti më i pakontestueshëm se ne sot i kemi të gjitha arsyet për të besuar që Shqipëria mund të mbështetet tek kjo administrate, që Shqipëria mund t’ia dalë objektivit të anëtarësimit më shpejt se gjithë të tjerët në rajon, në radhë të parë falë kësaj administrate.

Dua t’ju them që nuk e ekzagjeroj aspak nëse ju kërkoj të gjithëve që ta shikoni veten si lojtarët e ekipit kombëtar dhe pavarësisht se kjo është një skuadër shumë e madhe, pavarësisht se kjo skuadër nuk ndeshet me një kundërshtar në sytë e gjithë kombit shqiptar, pavarësisht se kjo skuadër fatmirësisht nuk vishet e gjitha njësoj në këtë rast, secili e secila prej jush mbartin sot pikërisht pse janë pjesë e kësaj skuadre, duke qenë pjesë e administratës publike, të njëjtin mision që bart çdo lojtar i ekipit tonë kombëtar. Por në rast se ekipi ynë kombëtar fiton ndeshje futbolli dhe bën që të buzëqeshë e gjithë Shqipëria për një mbrëmje, kjo skuadër kombëtare nuk do fitojë asnjë ndeshje futbolli, as disa ndeshje futbolli, as kualifikimet për të shkuar në një kampionat europian apo botëror, por kjo skuadër kombëtare do fitojë të ardhmen e Shqipërisë. E kjo nuk është retorikë, ky është fakt!

Unë e di që të flasësh me zë të lartë për patriotizëm, të flasësh me zë të lartë për përkushtim ndaj flamurit kuqezi, të flasësh me zë të lartë për sensin e misionit të punës në politikë apo në shërbimin publik, shumëkujt i tingëllon si diçka për t’u tallur, për t’u përqeshur, për t’u nënçmuar, madje dhe për t’u sharë e për t’u mallkuar si hipokrizi. Unë personalisht nuk kam asnjë frikë nga kjo. Ndërkohë që e vërteta është që sot në këtë kontekst historik e në këtë përpjekje të madhe që Shqipëria duhet të bëjë në të gjithë hapat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, të jesh pjesë e administratës nuk është thjesht të jesh në atë që historikisht quhet e do të quhet gjithmonë për administratën mision publik, por do të thotë të jesh pjesë e bartës i një misioni historik, kombëtar që vjen një herë në jetë e që nuk përsëritet në jetë të tjera.

Tani, natyrisht që nuk jemi mbledhur këtu për të folur në përgjithësi, por duke vendosur në këtë themel, të fjalëve që thashë vlerën e këtij misioni dhe duke marrë parasysh se çfarë sfide e jashtëzakonshme është përpjekja në të gjithë sektorët për tu përafruar e pastaj për tu bërë njësh me jo vetëm legjislacionin por dhe me standardet e veprimtarisë institucionale të Bashkimit Europian, kërkon një vetëdije që gjithsecili prej nesh, gjithsecili prej jush duhet të bëjë një ekstra sforco.

Çfarë nderi më të madh mund të ketë në jetën e një njeriu, se sa rrethanat, koha, fati, mundësitë ta vendosin në pozicionin që të jetë i vlefshëm për vendin e vetë? E çfarë privilegji më të madh mund të ketë në jetën e një shërbëtori publik, se sa të gjendet në një periudhë historike për vendin e vetë, në një pozicion pune, ku puna e tij ka ndikimin e vetë. Si çdo gllënjkë uji ka rolin e vetë në një det, ashtu dhe çdo punonjës, çdo pozicion pune, çdo kompjuter që ndizet në mëngjes apo çdo procesverbal ose shënim që mbahet gjatë ditës së punës, kanë rëndësinë e vetë. E natyrisht që ne kemi barrën e madhe, duke qenë në drejtim, që t’i përkushtohemi shumë më tepër sot mirëqenies dhe gjendjes shpirtërore të administratës.

Natyrisht që mund të flas këtu për pagat, ne i kemi rritur e do t’i rrisim prapë pagat këtë vit, por nuk janë vetëm pagat, janë dhe shumë aspekte të tjera që duhet me patjetër të bëhen bashkë për ta garantuar këtë mirëqenie ose më saktë qetësi materiale e shpirtërore që administrata dhe çdo punonjës në administratë, të jetë i gjithi i motivuar për ta bërë si duhet punën e vetë. Dua ta falënderoj shumë Adean për pasionin dhe profesionalizmin me të cilin e ka filluar këtë punë, por mbi të gjitha dua ta falënderoj për faktin që për ta filluar këtë punë, gjëja e parë që ka bërë është që ka mbledhur opinionet tuaja, në gjithë administratën. Mbledhja e opinioneve tuaja për çështje që lidhen me punën e përbashkët duhet të jetë një normë, duhet të jetë një standard, duhet të jetë një rregull i vazhdueshëm.

Ashtu sikundër nevoja për të krijuar një lidhje shumë më të drejtpërdrejtë e shumë më të shëndetshme mes gjithë administratës publike, mes gjithë atyre që e kalojnë një pjesë të madhe të ditës në institucionet e këtij shteti dhe drejtuesve të institucioneve, të bëhet shumë më e fortë, shumë më e vërtetë. Çfarë na ka treguar historia e procesit të radiografimit të Shqipërisë në Bruksel është se në administratën publike ka shumë pasuri të çmuara njerëzore.

Në administratën publike ka shumë njerëz, të cilët janë në hije, janë lënë në hije, lihen në hije dhe janë aty prej shumë vitesh. Ata janë një nga arsyet kryesore pse unë besoj që ne do t’ia dalim në këtë mision, por në të njëjtën kohë, ata duhet të jenë një nga prioritetet kryesore të të gjithë drejtuesve të ministrive dhe të agjencive sepse kanë shumë eksperiencë, por shpeshhere s’kanë me kë e ndajnë.
Kanë dëshirë, por rëndom s’kanë me çfarë ta ushqejnë dëshirën.

Kanë shumë gjëra për të thënë, por në të shumtën e herëve s’ka kush i dëgjon dhe ne jemi shumë të vendosur të punojmë për këtë, për një arsye shumë të thjeshtë; sepse ua kemi jashtëzakonisht shumë nevojën, sepse Shqipëria sot ua ka të gjithë këtyre jashtëzakonisht shumë nevojën. Shqipëria ia ka jashtëzakonisht shumë nevojën sot për t’ia dalë faqebardhë në këtë proces të gjithë atyre zonjave dhe zotërinjve, si zonja që foli këtu më parë, nuk e njoh dhe që ka disa dekada që shërben në administratë, po s’është vetëm ajo, janë shumë si ajo.

Ashtu sikundër, pa diskutim që ne kemi një problem me vlerësimin. Me vlerësimin e performancës së punonjësve të administratës publike sepse ka shumë vlerësim me pikët më të larta për shumë njerëz, por nuk ka mundësi që të jetë kështu. Nuk ka mundësi të jetë kështu sepse nëqoftëse është kështu, atëherë do na duhet të pranojmë që administrata jonë ka një eficensë në punë të barabartë me Apple, me Google dhe me kompanitë më të mëdha globale të ekselencës, por ne e dimë që kjo s’është e vërtetë.

Ai pikëzim ka shumë rëndësi për ata që punojnë, por ka shumë rëndësi dhe për ata më të rinjtë që hyjnë në administratë po duan ta shikojnë veten diku më lart, falë meritës dhe jo të ndihen sikur do presin pensionin e pleqërisë aty, në po atë zyrë gjithmonë, duke parë disa të tjerë që hyjnë lart, dalin lart, ndërkohë që poshtë nuk lëviz asnjë gjë dhe për këtë ne do të angazhojmë bashkë me Adean dhe bashkë me të gjithë anëtarët e kabinetit një ekspertizë të nivelit më të lartë ndërkombëtar, jo vetëm ekspertizën e BE që nuk ka munguar dhe nuk mungon dhe për hir të së vërtetës dua ta them këtu, që është shumë krenari për ne.

Unë e kam parë dhe atë me skepticizëm, që misioni i SIGMA që financohet nga BE, e nxori Shqipërinë në vendin e parë në rajon në 2021 për kapitalin njerëzor të administratës publike. E kam parë me skepticizëm se kam thënë, kemi dalë të parët mes qametit. Por jo! Procesi në Bruksel tregoi se ai vlerësim ishte objektiv dhe se administrata jonë është një aset i jashtëzakonshëm, që ka një potencial të jashtëzakonshëm. Ne na duhet të fokusohemi tek anëtarësimi dhe na duhet të fokusohemi tek anëtarësimi njësoj si Luiza Gega u fokusua tek rekordi europian, pa marrë parasysh asgjë nga 1001 arsyet për të mos besuar se mund t’ia dilte, pa marrë parasysh asgjë nga 1001 vështirësitë në një vend ku akoma s’ka një pistë ndërkombëtare atletike, por ia doli.

Ne do të fokusohemi tek anëtarësimi në BE pa marrë parasysh asnjë gjë, pa marrë parasysh as çfarë na thonë ata miq që janë ulur atje, as çfarë na thonë të gjitha sirenat dhe kukuvajkat e pyllit tonë të përbashkët, as çfarë na thonë zërat e gjithkujt në kafene sepse ne duhet të besojmë që ne e kemi këtë në dorë dhe ne do të jemi gati për BE-në përpara se BE-ja të jetë gati për ne, pastaj kur BE të jetë gati për ne, ne do të bëhemi anëtarë në BE, por ama duke qenë gati për në BE përpara Bashkimit Europian, ne do të kemi këtu në Shqipëri një vend që funksionon si një shtet anëtar i BE.

Kjo nuk është thjesht një përpjekje për të qenë në rregull me Brukselin, kjo është vetëm njëra anë, me gjithë ato detyrat që janë të shënuara në raporte, në progres-raporte, fermanë, por kjo është e lidhur edhe me të qenit të vetëdijshëm se administrata publike ka një rol parësor në cilësinë e mirëqeverisjes. Mirëqeverisja nuk është thjesht se si qeveris qeveria. Mirëqeverisja është se si shërbehet qytetari. Mirëqeverisja është se si garantohet konkurrenca. Mirëqeverisja është se si sigurohet merita dhe këto nuk i bën realitet në jetën e njerëzve qeveria, por e gjithë struktura shtetërore, e gjithë makina e shtetit. Këto bëhen realitet në të gjitha dyert ku shteti dhe qytetari ndërveprojnë.

Po ashtu, ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm që pjesë e këtij misioni është antikorrupsioni. Antikorrupsioni nuk është një luftë e drejtësisë thjesht me personat e korruptuar apo me praktikat korruptive. Antikorrupsioni është vijë sjelljeje, antikorrupsioni është kulturë shërbimi, antikorrupsioni është vetëdije që secili dhe secila prej jush ka një rol në klimën e atij institucioni dhe në klimën institucionale të Shqipërisë.
Që predikimi im të mos jetë shumë i gjatë dua ta mbyll duke ju thënë që qëllimi ynë është që të krijojmë në çdo hapësirë të administratës një klimë të re sepse kur thyen një rekord dhe ne kemi thyer një rekord në një kuptim, me kalimin me sukses të radiografimit me hyrjen në fazën e re të negociatave, duhet që të nesërmen të gjesh forca të reja brenda vetes për të shkuar më tutje.

Dhe forcat e reja brenda vetes për të shkuar më tutje mund t’i gjesh duke parë me sy kritik se çfarë mund të bësh më mirë se çfarë ke bërë. Se vërtetë ne ia dolëm me sukses atij procesi, por janë kaq shumë procese të tjera, janë ka shumë ndërveprime të tjera, janë kaq shumë sektorë që kërkojnë reformë, janë kaq shumë ligje që jo vetëm duhen miratuar, por duhen zbatuar si duhet, janë kaq shumë procese kontrolli, monitorimi nga Bashkimi Europian sa ne duhet të jemi në formë, gjithmonë e më në formë dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme, është themelore, është A-ja dhe Zh-ja, të tjerat janë në mes, që çdo kush që hyn në mëngjes në derën e një institucioni ta ndjejë peshën e flamurit kuqezi të cilin e kemi ne në dorë ta ngremë atje në rrethin e flamujve, në sheshin përpara institucioneve të Bashkimit Europian në Bruksel. Nuk e ka në dorë askush tjetër, e kemi në dorë vetëm ne, secili dhe secila prej nesh.

Këtë klime të re ne duhet ta krijojmë me domosdo dhe kjo klime e re ka nevojë për përfshirjen tuaj. Ne do të bëjmë çmos, që ju të jeni të përfshirë përtej punës në atë kuadratin që keni në organigramën e institucionit tuaj, në procesin e krijimit të një fryme, të një skuadre. Të një skuadre të madhe që shumëkush nuk e njeh, nuk njeh shumëkënd, por të gjithë bashkë njohim cili është qëllimi ynë. Qëllimi më i madh, qëllimi më i lartë, qëllimi më fisnik i mundshëm. Ta shkulim njëherë e përgjithmonë Shqipërinë nga kthetrat e një historie të tej zgjatur me shekuj pamundësie për të qenë shteti dinjitoz i çdo shqiptari dhe ta ngulim flamurin tonë me të njëjtën lartësi, me të njëjtën madhësi, në të njëjtën hapësirë në resht bashkë me të gjithë flamujt e tjerë të vendeve që i kemi parë gjithmonë me admirim, pikërisht se në radhë të parë kanë shtete qe janë dinjitoze për qytetarët e tyre.

Në mbyllje, një mesazh nga lartësia e majës time të bardhë, për gjithë vajzat dhe djemtë që i shoh në sallë dhe që janë, mos flasim për moshën tani, por që janë me shumë rrugë përpara. Në radhë të parë ju më të rinjtë këtu, ja keni borxh prindërve tuaj, ja keni borxh gjyshërve tuaj, ja keni borxh vendit tuaj, ja keni borxh edhe shtetit tuaj, që juve jua kanë njohur meritën, jua kanë dhënë mundësinë dhe ju jep me aq sa mundet në mënyrë të vazhdueshme mbrapsht dinjitetin që të tjerë të rinj si ju kërkojnë ta kenë dhe jo gjithmonë për arsye të pamjaftueshme nuk e kanë. Ju duhet të angazhoheni më seriozisht se të gjithë për këtë klimë të re dhe për një motivim dhe përkushtim më të madh në punën e përditshme në shërbim të institucionit ku jeni dhe në shërbim të këtij shteti.

Se jeni shumë vonë ju për të menduar të ikni dhe më besoni, po ikët, do ta kuptoni që keni bërë zgjedhjen e gabuar, por nga ana tjetër jeni shumë herët për të mos e parë me shumë optimizëm se çfarë mund të jetë Shqipëria edhe falë jush. Jo pas 100 vjetësh, por brenda 10 vitesh, kur ju të jeni ende në shërbim të shtetit dhe do të keni ende shumë kohë që ta shihni atë që gjyshërit tuaj, prindërit tuaj, për të mos folur për stërgjyshërit tuaj, nuk guxonin ta ëndërronin se mund ta shihnin.

Duhet të jeni të sigurt që në fund kjo botë është e atyre që guxojnë, kjo botë është e atyre që rezistojnë, kjo botë është e atyre që në vend që të gjejnë justifikime dhe arsye për t’u ankuar dhe për t’ia lënë fajin të tjerëve është e atyre që për të realizuar qëllimet e tyre nuk harxhojnë kohë as me justifikime e as me fajësimin të tjerëve, por vetëm shohin përpara dhe çdo goditje, çdo dështim, çdo rrëzim, çdo mos vlerësim nuk e marrin si një arsye për tu dorëzuar e për të shkuar në kafene e të thonë – “Nuk bëhet ky vend mo lale, po hajde të bëjmë ndonjë lek”, por e marrin si një arsye më shumë për të vazhduar kokëfortësish për të realizuar atë që kanë në kokë.

Shumë faleminderit dhe dua t’i them Adeas që ke të gjithë mbështetjen time, ke të gjithë mbështetjen e të gjithëve ne dhe nëse ndër ne ka nga ata që të mbështesin me fjalë dhe nuk të mbështesin me vepra, ti bëj pikërisht atë që të thashë, janë një arsye, dy arsye, pesë arsye, dhjetë arsye më shumë që ti të insistosh më shumë dhe ti je kryeministrja e administratës publike. Për administratën publike të gjithë ministrat janë vartësit e tu, unë jam vetën zëvendësi yt. Faleminderit!

SHKARKO APP