Rama: Agjencia izraelite, partnere strategjike e Shqipërisë në sigurinë kibernetike
Në kuadër të vizitës zyrtare në Izrael, kryeministri Edi Rama është pritur këtë të hënë në një takim nga kreu i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Izraelit. Përmes një postimi në facebook, kreu i qeverisë shqiptare shkruan se do të punohet për ngritjen e një qendre ekselence për sigurinë kibernetike në Shqipëri.
”Me drejtuesin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Izraelit, e cila do të jetë partneri ynë strategjik në fuqizimin e mbrojtjes kibernetike dhe ngritjen e një qendre ekselence për sigurinë kibernetike”,-shkruan Rama.
Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike të Iranit në korrik dhe shtator të këtij viti, duke vendosur shkëputjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet. Izraeli është gjithashtu një prej shteteve më të sulmuara nga Irani në fushën kibernetike.
Kryeministri ndodhet prej dy ditësh në Izrael ku është takuar me krerët më të lartë të shtetit. Të dielën ai u takua me kryeministrin, Yair Lapid, ku palët folën për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë kibernetike e të mbrojtjes, të ekonomisë dhe të turizmit.