Rama asnjë fjalë për kërcënimin e Blushit
Kryeministri Edi Rama e ka marrë fjalën sot në Kuvend për të replikuar me ish-kryeministrin Sali Berisha, që i renditi akuzat për lidhjet me krimin, duke e anashkaluar skandalin që publikoi deputeti i tij Blen Blushi për kërcënimin nga Elvis Roshi.
Rama replikoi me Berishën që në hyrje të fjalës së tij për drejtësinë dhe i solli në vëmendje një shkresë të Europolit për operacionin ku përfshihej dhe rasti Balili. Por, ai nuk harroi t’i ngulë një thumb Blushit në distancë.
Rama tha:
“Sali, unë kam atë pyetjen e mërzitshme: Reformën në drejtësi. Sali, do ta lejosh apo s’do ta lejosh PD të votojë reformën në drejtësi? Dhe mos shiko se çfarë shkruan qytetari dixhital se ua fute dhe të tjerëve këtë “mikrobin.”
Sali, në fakt kjo pyetje është retorike mjaft të shohësh atë malin e betonit që iu dha leja nga kryetari në detyrë i partisë tënde për të kuptuar se pse ti je i painteresuar që gjyqtarët e këtij vendi të kalojnë në skanerin e reformës, pasurinë e tyre kur ke nxitur, një sistem të korruptuar që bën shërbime për ty personalisht, për njerëzit e tu personalisht, për tarafin tënd personalisht.
Një turp i pashoq. Një gjykatë e kapur me presh në duar që refuzon të zbatojë më minimalen, të marrë në konsideratë konfliktin e interesit dhe të marrë përsipër turpin më të madh.
Një mal betoni mbi digën që kërcënon jo parkun, por jetën e një lagjeje të tërë, i konsideruar i rrezikshëm nga një komitet shtetëror i specialistësh. Gjykata u detyrua të tërhiqet se sot doli një tjetër gjykatës, klient i kompanisë paditëse të shtetit.
Rama kaloi më tej në akuzat e opozitës ndaj tij për lidhjen me Klement Balilin, drejtorin e Transportit të konsideruar si Eskobari i Ballkanit. Ai i citoi Berishës një shkresë të Europolit ku flitej se Shqipëria kishte bashkëpunuar për arrestimin e rrjetit kriminal.
Ja shkresa e Europolit, – tha Rama – Në të thuhet: “Më 9 maj 2016, 17 individë të përfshirë në një rrjet kriminal në shkallë të gjërë të udhëhequr nga Greqia dhe të mbështetur nga Shqipëria dhe Europol.” Lexoje. Se po i mëson keq dhe kopjet e tua. Sali, ti nuk e do reformën në drejtësi!”,- theksoi Kryeministri.
Po ashtu, Rama, indirekt, pa e përmendur emrin e kryebashkiakut Xhelili dhe të skandalit të tij, tha: Vini këtu dhe numëroni ata që ne i kemi çuar para bankës së të akuzuarve apo i kemi sikterisur nga PS. Përgjegjësi e gjithkujt është individuale, nuk ka përgjegjësi kolektive. Flisni ju që keni mbajtur në detyrë Drejtorin e Tatimeve në arrest shtëpie e thoshe se “unë pres vendimin përfundimtar”.
KOHA JONË SONDAZH

