Rama: Azilkërkuesit nxiten nga elementë kriminalë

 

Azilkërkuesit nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian ishin një nga çështjet e debatuara në Kuvend.

Në përgjigje të pyetjeve që ngriti deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, kryeministri Edi Rama tha se “eksodi” nuk është nxitur nga varfëria po nga elementë kriminal të cilët kanë keqinterpretuar nevojat aktuale të Gjermanisë, për t’i a servirur shqiptarëve se mund të përfitojnë lehtësisht azilin.

“Po i përgjigjem pyetjes që më erdhi nga Kulla e plazhit”, tha Rama duke iu referuar deputetes Vokshi.

Kryeministri  iu referua Kosovës, vend ku largimi i qytetarëve nisi në të njëjtën kohë si në Shqipëri, për të treguar se frenimi i fluksit u arrit nga ndalimi i veprimtarisë së strukturave kriminale dhe jo se “mrekullisht” sipas tij, ekonomia u përmirësua.

“Kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për rreth 45 mijë të huaj por me profesione të caktuara në raport me aspiratën e njerëzve për të shkuar në Gjermani dhe për të kërkuar një jetë më të mirë .

Ne nuk jemi ata që  themi “jemi të dytët mbas Gjermanisë”. Mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal dhe mjafton të shikojmë në vendet fqinje dhe kemi të njëjtën situatë. Largimet në Kosovë që nisën në të njëjtën kohë janë amortizuar. Çfarë ndodhi? U frenua fluksi i stimuluar nga struktura kriminale. Fakti që ka zona të varfra sidomos në veri lindje të vendit, fakti që ka njerëz që e kanë të vështirë sot të nxjerrin bukën e gojës sigurisht që është i pamohueshëm nga ne, por  është turp për ju që këtë fakt ta lidhni me këtë qeveri”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë tha se opozita do ta marrë përgjigjen më 21 qershor nga vota popullore.

Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë Shqipërinë parajsë nuk kemi një shkop magjik të rindërtojmë çfarë ju bëtë copë copë për 8 vjet. Ne kemi bindjen e plotë se Shqipëria po shkon në rrugën e duhur, dhe shqiptarët nuk janë dele që ju ti bëni bariun. I kanë aftësitë të vlerësojnë dhe të japin gjykimin e tyre. Jam i gatshëm që bashkërisht ta presim gjykimin e shqiptarëve me 21 qershor aspo pas dy vjetësh. Gjykimi negativ i shqiptarëve do të bjerë përsëri mbi ju se nuk keni reflektuar asgjë mbi atë që bëtë, çka ju përpiqeni të na e lini ne çfarë ju trashëgohet është një lojë që nuk e ha më askush”, tha Rama. 

SHKARKO APP