Rama banorëve të Shijakut: Legalizimet falas i fituat me votën tuaj
Kryeministri i vendit Edi Rama ka qenë pasditen e sotme në Shijak ku shpërndau 1001 leje legalizimesh falas.
Rama tha se qytetarët tani po marrin shërbimin e merituar, por kjo vetëm sepse ata me votën e tyre votuan këtë qeveri, cila tashmë po zbaton vetëm porgramin e saj.
Më vjen mirë kur dëgjoj falenderime, por për gjithçka që ndodh për mirë duhet të falenderoni vetën dhe të gjithë ata që me votën e tyre kanë zgjedhur këtë qeveri. Ne nuk bëjmë asgjë tjetër përveçse po zbatojmë programin tonë dhe po u bindemi atyre që na votëbesuan. Kjo tregon se legalizimiet rezultat i asaj vote që keni dhënë, vota vlen dhe ka shumë rëndësi se në çfarë drejtimi e çon, -tha Rama, i cili kujtoi rëndësinë e votës në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet vendore.
Më tej kryeminsitri theksoi se vetëm në pak muaj janë bërë 10 herë më shumë legalizime sesa bëri PD-ja në 8 vjet qeverisje.
"Ne kemi hapur një zyrë të posaçme për Shijakun, duke parë gjithë këtë territor ka një numër të mjaftueshëm banorësh, të cilët e kishin shumë të vështirë që të mund të shërbeheshin siç duhet nga Drejtoria Rajonale e qytetit të Durrësit. Kjo zyrë sot duhet të trajtojë rreth 13 mijë e 200 vetëdeklarime. Nga mijëra kërkesa qeveria e kaluar ka legalizuar vetëm 143 legalizime nga të cilat 95 për qind janë hotele ose restorante, ndërtesa të cilat nuk duhet të ishin legalizuar, por ka pasur interes, ndërkohë që mijëra familje janë lënë rrugëve dhe palegalizuar shtëpitë. Qeveria e kaluar për Shijakun ka legalizuar vetëm 1 për qind të kërkesave. Sot me punën e bërë nga 21 nëntori dhe deri dje ne do të dorëzojmë për ju 1001 leje legalizimi që janë 10 herë më shumë se ç’ka bërë PD në gjithë karrierën e vet në qeverisje. Ne sigurisht jemi të vetëdijshëm se kjo është vetëm njëra pjesë e problemit, prandaj do të vijojmë intensivisht me legalizimet falas. Nuk ka qenë nevoja të shkoni ju tek Aluizni, por kanë ardhur ata tek ju", tha Rama.
Në takimin me banoret e Shijakut Rama tha se tashme ka nisur projekti per Sheshin e Bashkisë, i cili do të ndërtohet sipas parametrave europiane.
Dua tu bëj me dije se para pak ditësh qeveria ka miratuar projektin e paraqitur nga Bashkia e Shijakut, që do të jetë dhe Sheshi i Bashkisë së re që do të përmbledhë Shijakun dhe një sërë komunash, është një projekt mjaft i mirë, do t’i japë një pamje të re gjithë kësaj zone, i cili do të jetë shesh i parametrave europianë. Me një mbështetje prej 1 milionë dollarësh nga qeveria, gjë që se ka bërë qeveria e shkuar. Besoj se nuk e bëmë pa qëllim këtë takim këtu për të parë edhe këto shkolla, prandaj ne do të financojmë brenda këtij viti edhe këto shkolla, të kalojnë në një rrugë normale dhe jo në këto gropa që ju ka lënë Saliu.