Rama: Basha, një papagall bosh
Kryeministri Edi Rama nuk e ndal sulmin e tij ndaj demokratëve.
Kështu ndodhi edhe në Lushnje, ku Rama prezantoi kandidatin Fatos Fushe.
Pasi e justifikoi këtë të fundit se nuk ka punuar dot, pasi nuk e kanë lënë demokratët në qeverisje, Rama u mor me kreun e opozitës.
Rama e quajti Bashën “papagall” dhe “bosh”.
Në fjalën e tij, Rama u është përgjigjur akuzave të opozitës duke nënvizuar se, plagët nga të cilat vuan sot shoqëria shqiptare i hapën ata vetë kur ishin në qeveri.
“Procesin e legalizimeve e kthyen në një aferë ryshfeti dhe nuk lanë lavazh, magazinë e ngrehinë pa legalizuar m’u në mes të rrugëve, në prona publike e pasuri kombëtare. Tani kanë gojë e flasin”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur se teksa sot opozita bërtet, qeveria po paguan “faturat” e dëmeve të saj, dëme që sipas kryeministrit arrijnë në qindra milionë dollarë.
Por pavarësisht situatës, ka shtuar Rama, qeveria e majtë ka arritur ta kthejë situatën në drejtimin e duhur, duke arritur rezultate konkrete.
“Ne ndaluam hemoragjinë e plagëve të shkaktuara nga ata dhe filluam të ecim në drejtimin e duhur. Shembulli i kësaj është ai i energjisë, ku mbi 300 mijë konsumatorë janë bërë pjesë e asaj nisme për heqjen e njollës së turpit, duke nënshkruar kontratat për shlyerjen e detyrimeve të energjisë”, ka shtuar Rama.