Rama bashkëbisedon me tre emigrantë të kthyer për të investuar në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podkastit të tij “Flasim”, bashkëbisedoi me tre emigrantë të kthyer nga jashtë për të investuar në Shqipëri.

Skenografi Aleksandër Çifligu rrëfeu kur u largua në Greqi dhe se si u bë pjesë e ‘botës’ televizive që atje. Në vitin 2011 vendosi që të kthehej në Shqipëri, për të vazhduar punën në Tiranë. Kur u kthye në Shqipëri, ai thotë se gjeti një Shqipëri ‘burrërore’ nga ajo fëminore që kishte lënë kur ishte larguar.

Besniku tregoi se emigroi në Greqi në ’97-ën. Qëndroi atje për disa vite, ku krijoi kompani në fushën e ndërtimit. Por siç tha ai, betoni e lodhi shumë shpejt, dhe me një vendim të shpejtë, shiti kompanitë dhe u kthye në vendlindje në Divjakë, ku edhe filloi të merrej me bimët medicinale.

Ndërkohë Lola që vjen nga një zonë e thellë e Shqipërisë, tregoi se për shumë vite prindërit e saj kanë jetuar jashtë vendit për t’ju siguruar fëmijëve një jetë më të mirë. Ajo thotë se kur ka shkuar në Greqi, në moshën 13-vjeçare, ka parë për herë të parë Evropën. Bashkë me mamin e saj, nisën të merrenin me pushime artizanale, por pasi biznesi lulëzoi, për shkak të problemeve shëndetësore të së ëmës, u largua sërish jashtë.

Pasi u njoh me bashkëshortin e saj, u largua drejt Gjermanisë, por u kthye më vonë. Ajo tashmë është kthyer, kësaj here nga Malta, dhe synon të merret me turizëm në veri.

“Kur shkova në Theth u mahnita. I thashë bashkëshortit që kur të kemi fëmijë do t’i rrisim këtu. Ideja është se nuk duam të bëjmë ndonjë luks dhe të ndryshojmë diçka. Nuk ka nevojë për xhakuzi për të treguar mikpritjen dhe traditën”, tha ajo.

SHKARKO APP